Ndërlidhjet

Hajrullahu: Raportet Kosovë-BE, të paformalizuara


“Thellimi i dallimeve mes Kosovës e vendeve në rajon, na vë në pozicion jo të drejtë kur flitet për qasjen e politikës së zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor”, tha Venera Hajrullahu, eksperte e integrimeve evropiane.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hajrullahu, sot shënohet 9 Maji, Dita e Evropës. Sa afër është Kosova me Evropën?

VENERA HAJRULLAHU
Meqenëse po e nisim me një ditë simbolike, shpresoj se 9 Maji i vitit të ardhshëm nuk do ta gjejë Kosovën në natyrën e relacioneve që ka aktualisht me Bashkimin Evropian dhe që janë të shënuara me një mungesë të plotë të relacioneve formale.

Aktualisht, Kosova edhe pas shtatë viteve angazhimi në agjendën evropiane, bazuar në perspektivën e hapur evropiane të rikonfirmuar me vite, vazhdon të mbetet formalisht në stadin zero, nuk ka arritur të lëvizë as drejt një studimi të fizibilitetit të mirëfilltë, i cili do të hapte rrugë drejt negocimit të nënshkrimit të një marrëveshjeje të stabilizim – asociimit.

Por, fakti se ne mbetemi pa u inkuadruar në mënyrë formale në këtë proces, dita më ditë na largon nga vendet e tjera të rajonit. Nga perspektiva rajonale, ky thellim i dallimeve në mes të Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit, na vë në një pozicion jo të barabartë dhe do të thosha edhe jo të drejtë kur është fjala te një qasje rajonale në kuadër të politikës së zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor.

Unë mendoj që me vetë faktin që në raportin e progresit të vitit 2008 Komisioni Evropian i ka propozuar këshillit mundësinë e fillimit të studimit të fizibilitetit për Kosovën, tregon se megjithatë është arritur një progres, i cili e ka sjellë Kosovën deri në një pikë ku do të mund të kalonte në një fazë pak më të avancuar. Por, kjo fatkeqësisht nuk është realizuar dhe formalisht po mbetemi në stadin zero të procesit të integrimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hajrullahu, cilat janë vlerësimet tuaja për punën që po bëjnë institucionet e Kosovës drejt liberalizimit të vizave?

VENERA HAJRULLAHU
Po edhe kjo, në një mënyrë, lidhet me formalizimin e relacioneve apo mundësinë e pjesëmarrjes në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave në mënyrë të njëjtë sikurse vendet tjera të rajonit. Siç e dini, Kosova ende nuk e ka pranuar një udhërrëfyes për plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave dhe kjo, megjithatë, e vendos në një rrafsh pak si ndryshe dhe e hendikepon, të themi, në përparim pak më të shpejtë në kuadër të plotësimit të kushteve për liberalizim të vizave.

Por, që nga ana tjetër, gjithsesi, nuk i arsyeton institucionet ta dinamizojnë edhe më tutje përmbushjen e kritereve që, megjithatë, dihet se cilat janë dhe që duhet të përmbushen, me udhërrëfyes apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se Kosova do ta pranojë këtë udhërrëfyes?

VENERA HAJRULLAHU
Po përmenden data të ndryshme, do të thotë është fjala për disa muaj ndoshta para nesh. Megjithatë, mendoj se ky është një problem paksa artificial ; nuk mendoj se edhe mungesa e unitetit në kuadër të BE-së në raport me çështjen e pavarësisë së Kosovës, vërtet ka qenë pengesë për ta marrë udhërrëfyesin.
Nuk është fjala për liberalizimin, është fjala për hapjen dinamizmin e një procesi që gjithsesi do ta marrë një periudhë të caktuar kohore dhe mendoj se këtu mund të flasim për disa vite.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tashmë ka themeluar Ministrinë e Integrimit. Sa do të ndihmojë kjo ministri për integrim më të shpejtë të Kosovës në BE?

VENERA HAJRULLAHU
Mendoj se është punë e mirë që aktualisht kemi një udhëheqje politike të këtij procesi. Jam e sigurt që do të shohim së shpejti një konsolidim të strukturave përgjegjëse për procesin e integrimit në kuadër të institucioneve të Kosovës dhe kjo ka qenë e nevojshme.

Nuk them patjetër në formën e një ministrie, mund të ketë pasur edhe forma tjera të organizimit, por megjithatë është një fuqizim i udhëheqjes së këtij procesi. Dhe, kjo është punë e mirë.

Megjithatë, mendoj se sfidat e Kosovës në kuadër të këtij procesi qëndrojnë në përmbushjen e standardeve sektoriale, do të thotë janë disa fusha që tash përfundimisht do të duhej të paraqisnin prioritet në agjendën qeveritare dhe në radhë të parë është sundimi i ligjit - kemi pasur një vlerësim jashtëzakonisht të keq në raportin e kaluar të progresit.

Nga ajo kohë e deri më tani nuk besoj, së paku, nuk kemi mundur të shohim ndonjë lëvizje shumë të madhe përpara. Nga ana tjetër, kjo ndërlidhet me luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha këto - nëse më lejoni të kthehemi te pyetja që shtruat më herët në raport me liberalizimin e vizave - të gjitha këto, drejtpërdrejt apo tërthorazi në fakt e afektojnë edhe përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Do të thotë kjo pako domosdoshmërisht duhet hetuar me prioritet. Nga ana tjetër, hiq më pak e rëndësishme vazhdon të mbetet administrata publike zbatimi i shpejtë dhe i fuqishëm i reformës për administratën publike, fuqizimi, sigurimi i një kontinuiteti, i një depolitizimi, i përgatitjes së një administrate vërtet për t’i përmbushur obligimet që rrjedhin nga agjenda evropiane.

Zhvillimin ekonomik po e lë anash, tash kemi këtu një situatë të rënduar edhe me efekte të ndryshme të krizës globale dhe të krizave që na rrethojnë. Mendoj se agjenda është plot – sfidat janë sektoriale.
XS
SM
MD
LG