Ndërlidhjet

Lajiç: Kompromisi për Kosovën, pas GJND-së



"Kompromisi për të ardhmen e Kosovës është i nevojshëm dhe mund të arrihet vetëm përmes negociatave”, deklaroi Rasim Lajiç.

Ai shtoi se koha e përshtatshme për fillimin e bisedimeve me Prishtinën është pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Zgjidhja, sipas së cilës shqiptarët e Kosovës fitojnë gjithçka, nuk është e qëndrueshme dhe nuk është e mirë as për Kosovën. Në këto kushte Kosova nuk mund të jetë anëtare e forumeve ndërkombëtare”, tha Lajiç, aktualisht ministër i Punës dhe Politikave Sociale.

Ai është shprehur i kënaqur me gjetjen e kompromisit për pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e Sarajevës. “Kjo na mundëson për të qenë në tryezë ku po diskutohemi dhe njëherësh nuk e pranuam pjesëmarrjen e Kosovës si shtet.”

Lajiç theksoi se partia që ai drejton, Partia Socialdemokrate e Serbisë, do të paraqitet në mënyrë të pavarur në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.

“Do të paraqesim politikat tona rreth Kosovës, njerëzit që do t’i zbatojnë këto politika, si dhe një qasje tjetër për zgjidhjen e problemeve, me të cilat përballet popullsia që jeton në atë zonë”, tha Lajiç.

Ai shtoi se nevojitet një politikë më mirë e menduar në raport me Kosovën, në veçanti duke pasur parasysh se Serbia ndan çdo vit 500 milionë euro për serbët që jetojnë në Kosovë.

“Nuk jam i sigurt se këto para po shpenzohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne nuk mund të lejojmë që institucionet e Kosovës të ndërtojnë më shumë shtëpi për të kthyerit se sa ne”,
theksoi Lajiç.

Lajiç theksoi nevojën e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë si kusht për t’i bindur serbët që të mbeten aty.

Lajiç shtoi se rreth 1500 banorë të Mitrovicës marrin ndihma sociale. Shumica e banorëve serbë në Mitrovicë jeton me 60-110 euro në muaj, por ka dhe nga ta që fitojnë 1800 euro në muaj, e madje ka dhe të tjerë që fitojnë 4000-5000 euro në muaj, theksoi Lajiç.

Komentet e Lajiçit u bënë për mediat serbe. (i.b)
XS
SM
MD
LG