Ndërlidhjet

Përballja me analfabetizmin


Selvete Bajrami, nga Podujeva, ka mësuar shkrim-lexim në moshën 34-vjeçare, sepse në kohën kur duhej të vijonte mësimin, për shkaqe të ndryshme, ajo nuk e ka pasur këtë mundësi.

Por, dëshira për të mësuar shkrim-lexim dhe për të mos mbetur, siç thotë ajo, analafabete, e ka shtyrë që përmes kursve intensive, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe UNICEF-i , t’i mësojë shkronjat.

“Nuk kam shkuar kurrë në shkollë, kjo është hera e parë. Unë kam ditur të lexoj edhe më herët, por nuk kam ditur të shkruaj dhe kam mësuar aty”, thotë Selvetja.

Është folur shumë për analfabetizmin në Kosovë dhe si dukuri ka qenë çështje e debatuar nëpër forume nga më të ndryshmet. Por, në Ministrinë e Arsimit thonë se ende nuk ka statistika të sakta se sa është niveli i kësaj dukurie, për faktin se nuk është bërë ende regjistrimi i popullsisë.

Besa Bytyçi, nga kjo ministri, thotë se fenomeni i analfabetizmit është i pranishëm dhe kryesisht ka të bëjë me periudhën e tranzicionit, nëpër të cilën ka kaluar sistemi i arsimit në Kosovë.

“Disa hulumtime janë bërë dhe ekziston një shifër rreth 6 për qind e analfabetizmit në vend, edhe pse nuk mund të merret si e saktë. Po të kishim shifër të saktë, do të na ndihmonte në hartimin e projekteve të gjithëpërfshirjes së popullatës në arsimim”, thotë Bytyçi.

Në anën tjetër, Kozeta Imami, zyrtare në UNICEF, në sektorin e arsimit, shpjegon disa nga të dhënat që kanë rezultuar nga hulumtimet e bëra në këtë drejtim:

“Përqindja e vajzave dhe grave analfabete ka dalë të jetë 14 për qind në vendet rurale. Për këtë arsye, kemi iniciuar një program, i cili dedikohet për këtë kategori të shoqërisë”, thekson Imami.

Sidoqoftë, analfabetizmi në Kosovë duhet të eliminohet deri në vitin 2015. Ky është ndër standardet që Kosova duhet t’i përmbushë në nivelin e arsimit, në mënyrë që të integrohet në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG