Ndërlidhjet

Kanë: Hapet Festivali i Filmit



Të mërkurën hapet Festivali i 63-të i filmit në Kanë, me 19 kandidime nga gjithsejtë 15 vende. Gjatë 12 ditëve të këtij festivali, filma të ndryshëm do të garojnë për Palmën e Artë, shpërblim ky që jepet për filmin më të mirë. Tim Burton, regjisor amerikan i filmave “Edward Scissorhands” dhe “Alice In Wonderland”, do të jetë në krye të jurisë nëntëanëtarëshe.

Burton e ka quajtur “nder të madh” të kryesojë panelin gjykues, duke thënë: “Kur mendoni për Kanën, ju mendoni për kinemanë botërore”. Dhe, në fakt, festivali i sivjetmë tregon më shumë se kurrë natyrën globale të industrisë së filmit.

Filmat e ofruar vijnë nga vende të ndryshme, si: Meksika, Korea e Jugut, Çadi, Tajlanda dhe Hungaria. Në listë është po ashtu një rritje e numrit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në mesin e filmave më të pritshëm në konkursin kryesor është “Certified Copy”, i regjisorit iranian, Abbas Kiarostami. Filmi, i pari i këtij regjisori i xhiruar jashtë Iranit, është vendosur në rajonin Toskanë të Italisë dhe paraqet një roamancë në mes të një tregtareje veprash artistike franceze, në rolin e së cilës është Juliette Binoche, dhe një shkrimtari anglez, të portertizuar nga William Shimell.

Kiarostami, një nga pionerët e lëvizjes së re kinematografike iraniane, ka kohë që është duke prodhuar vepra qëllimisht jopolitike. Megjithatë, “Certified Copy” ishte ndaluar menjëherë nga Qeveria iraniane. Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit protestoi, në fillim të marsit, kundër arrestimit të regjisorit iranian, Kiarostami, dhe asistentit Jafar Panahi, vendndodhja e të cilëve nuk dihet ende.

Festivali i sivjetmë i Filmit në Kanë shënon një moment historik për Ukrainën, e cila këtë vit ka një film në konkursin kryesor për herë të parë – “My Joy” nga Sergei Loznitsa. Në film, një ngasës kamioni, Georgy, niset në një odisejadë nëpër krahinat ruse, që ndryshon jetën e tij në mënyrë të paparashikueshme.

Loznitsa kishte lindur në Bjellorusi dhe kishte jetuar në Gjermani që nga viti 2001. Në një intervistë për shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, ai theksoi natyrën globale të filmit të tij, i cili ishte prodhuar nga një ekip, përfshirë më se 10 njerëz të kombësive të ndryshme.

“Filmi nuk i përket një kombi të veçantë. Vitet e fundit, kjo ka bërë që të mos ketë më kuptim. Para epokës së industrializmit, veprat e artit nuk i përkisnin një kombi të veçantë, për shkak se vendet, si të tilla, nuk kanë evoluar. Unë do të thosha se ky është më tepër një koncept politik dhe është thjesht i lidhur në mënyrë indirekte me artin”, tha Loznitsa.

Regjisori rus, Nikita Mikhalkov, hyn në Kanë me filmin “Exodus”, një vazhdim i filmit të tij të suksesshëm “Burnt By The Sun”, i cili në vitin 1994 fitoi Oskarin për filmin më të mirë të huaj.

Mikhalkov, i cili është i njohur për përqafimin e vlerave të epokës cariste dhe Kishës Ortodokse në vitet e fundit, luan rolin e një të burgosuri në njërin nga gullagët sovjetikë, i cili arrin të largohet nga kampi për të luftuar nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, në tregun e brendshëm, ky film nga epoka e luftës nuk ka arritur sukses të madh.

Kritikët thonë se stili Mikhalkovit është një pasqyrim besnik i epokës së Putinit në Rusi. Mbetet për t’u parë nëse juria e Kanës e sheh këtë stil si tërheqës për një audiencë ndërkombëtare.

Hapja e festivalit të Kanës është komplikuar nga disa sfida. Kryetari i Kanës, javën e kaluar, u detyrua të deklarojë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve. Edhe hiri i reve nga vullkani islandez ka gjymtuar trafikun ajror në aeroportin e Nicës.

Një skandal ka shpërthyer po ashtu për një dokumentar italian, që kritikon trajtimin e situatës nga ana e kryeministrit Silvio Berluskoni pas tërmetit në L’Akuila, vitin e kaluar. Ministri italian i Kulturës, Sandro Bondi, po bojkoton festivalin, duke thënë se është tronditur me faktin se dokumentari i titulluar “Draquila: Italy Trembles” do të shfaqet në Kanë.

Kana nis festivalin e vitit 2010 sonte, me një shfaqje të “Robin Hood”-it , një interpretim i ri i rrëfimit klasik nga një regjisor tjetër britanik, Ridley Scot, që do të jetë jashtë konkurrencës. (v.t.)


XS
SM
MD
LG