Ndërlidhjet

Zgjedhjet e paligjshme serbe


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës ripërsërisin se zgjedhjet lokale, të paralajmëruara të mbahen në fund të këtij muaji nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës, janë ilegale dhe të papranueshme.

Ministri i Administrimit të Pushteti Lokal, Sadri Ferati, thotë se në veri të Kosovës ende nuk janë ndërtuar mekanizma që do të ndalonin mbajtjen e atyre zgjedhjeve.

“Unë mendoj se edhe këto zgjedhje - pavarësisht që nuk jemi fare të kënaqur që ato mbahen, por nuk kemi ndërtuar mekanizma që do të ruanin stabilitetin dhe do të pengonin mbajtjen e këtyre zgjedhjeve - sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndërhyhet në këto zgjedhje, se ende nuk kemi përfituar mjaft në komponentin e sundimit të ligjit në atë pjesë”, thotë ministri Ferati.

Ndërkohë, zyrtarët e partive opozitare konsiderojnë se të gjithë faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, duhet të ndërmarrin masa për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë të paralajmëruara nga ana e Qeverisë së Serbisë.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se drejtuesit e institucioneve të vendit duhet ta zbatojnë Kushtetutën Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë Kushtetutën, duke u bazuar në elementet që përcakton Kushtetuta - ushtrimin e bazës ligjore në veri të Kosovës dhe në gjithë vendin. Prandaj, në bashkëpunim me EULEX-in dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë duhet të ndalojnë ndërhyrjen e kujtdo qoftë në territorin e Kosovës, duke pasur parasysh që zgjedhjet e një shteti nuk mund të mbahen në territor të një shteti tjetër”, deklaron Isufi.

Kurse, zyrtarët e EULEX-it, thonë se misioni për sundimin e ligjit, EULEX, nuk i njeh strukturat paralele. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, thotë:

“EULEX-i nuk i njeh të ashtuquajturat struktura paralele, prandaj nuk i njeh zgjedhjet e mbajtura në veri të Kosovës dhe strukturat që dalin nga ato zgjedhje”, thekson Krasniqi.

Mirëpo, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në veri të Kosovës, thotë ministri Ferati, mund të krijojë pasiguri në mbarë vendin.

Sipas Feratit, përpjekjet e Beogradit zyrtar janë edhe në drejtim të destabilizimit të situatës në Kosovë.

“Vetë tendenca dhe ambicia e Beogradit është pikërisht moslejimi që ajo pjesë të bëhet funksionale që qytetarët e komunitetit serb të integrohen në shoqërinë kosovare dhe de fakto edhe me çmimin e destabilizimit”.

“Beogradi nuk ka pasur ndonjë kujdes se a po destabilizon, por ka dëshiruar ta mbajë gjallë ambicien e luftës për territore. Dhe, po ajo tendencë ekziston, por unë mendoj se situata do të menaxhohet falë misioneve ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës”, shprehet Ferati.

Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se Qeveria e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, nuk ka bërë kurrfarë strategjie për fillimin e zbatimit të Kushtetutës në atë pjesë të territorit të Kosovës.

“Që në fillim, nga 17 Shkurti, nuk kanë ndërmarrë masa me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kanë hyrë pa një plan konkret në realizimin e kushtetutshmërisë në gjithë territorin e Kosovës”.

“Prandaj, duke pasur parasysh që kemi një qeverisje pa program dhe një qeverisje, e cila nuk është e aftësuar për të administruar në gjithë territorin, është gjendje shumë skeptike se mund të bëhet çfarëdo ndërhyrje”,
thotë Isufi.

Serbët e veriut janë deklaruar disa herë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet, të cilat janë organizuar nga institucionet e Kosovës. Sipas analistëve politikë, udhëheqësit e strukturave paralele serbe, si kundërpërgjigje ndaj ftesave për pjesëmarrje në zgjedhjet e organizuara nga Republika e Kosovës dhe planeve për veriun, kanë shpallur mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
XS
SM
MD
LG