Subjektet politike në veri të Mitrovicës kanë intensifikuar fushatën për zgjedhjet lokale të 30 majit për këtë komunë, që organizohen nga Qeveria e Serbisë, e të cilat cilësohen të paligjshme nga institucionet e Kosovës.
Serbët shprehen të gatshëm për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërsa përjashtojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e parapara me strategjinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut në sistemin kosovar.
Kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Mitrovicës, Millan Ivanoviq, thotë se serbët i pranojnë vetëm zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Serbisë.
“Sigurt mund të them se serbët në Mitrovicë, në veri të Mitrovicës, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i organizojnë institucionet e Kosovës, sipas Planit të Ahtisarit. Serbët nuk i pranojnë këto institucione, ata i kanë institucionet e veta, shtetin e vet, dhe do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që i organizon Republika e Serbisë”, thotë Ivanoviq.
Iniciativa Qytetare Serbia, Demokracia dhe Drejtësia, të cilën e udhëheq sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, është subjekt i ri politik që garon në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.
Ivanoviq thotë se si kryetar komune, ai do të përforcojë praninë e institucioneve serbe në terren, por edhe do t’ia kthejë namin qytetit.
“Ky qytet kurrë nuk është dukur më keq, sesa tash. Unë kujtoj kohëra më të mira. E dyta, ka shumë çështje të pazgjidhura, duke u nisur nga ujësjellësi. Tash e 10 vjet nuk ka furnizim të rregullt. Qyteti është i ngulfatur. S’ka ngrohje”.
“Për këto dhe shumë çështje tjera, kam vendosur të garoj. Mendoj se jemi i vetmi subjekt që do t’i mbajë premtimet, sepse unë do të vë kontakte me këdo që duhet, me zyrtarët e BE-së, me Beogradin, dhe kjo duhet të jetë forma, ky duhet të jetë kapaciteti që duhet ta ketë kryetari i ri i qytetit”, thekson Ivanoviq.
Pothuaj të gjitha subjektet politike në fjalorin e tyre gjatë kësaj fushate parazgjedhore, kanë luftën që do të bëjnë kundër zbatimit të strategjisë për integrimin e veriut, strategji kjo që synon kthimin e sundimit të ligjit në këtë pjesë të kontrolluar nga strukturat paralele serbe.
Një nga ta është edhe përfaqësuesi i Partisë Serbe të Progresit, Kërstimir Pantiq.
“Qytetarët e Mitrovicës, kanë treguar unitet kur është fjala për interesin kombëtar, ndërsa sot interesi më i madh kombëtar është ruajtja e Kosovës në përbërjen e Serbisë, dalja në zgjedhje më 30 maj dhe respektimi i ligjeve dhe institucioneve të Serbisë. Duhet bojkotuar Plani i Marti Ahtisarit, sikurse edhe ai i strategjisë për veriun”, shprehet Pantiq.
Në mesin e qytetarëve ka mendime të ndryshme në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 majit, të cilat institucionet e Kosovës i quajnë të paligjshme, por nuk duket se do të ndërmarrin ndonjë hap për t’i penguar ato.
“Unë i pranoj vetëm zgjedhjet që i organizon shteti serb, vetëm shiko se si jetoj, në frikë, edhe më tej nuk ka liri lëvizjeje, nuk kam kurrfarë besimi në institucionet e Kosovës”, thotë Zoran Nikoliq.
“Nuk do të dal në zgjedhjet lokale për Mitrovicën më 30 maj, sepse nuk i përkas asnjë subjekti politik. Programet politike më nuk po zbatohen. Do të ishte mirë që programet të realizohen në praktikë, por qytetarët më askujt nuk i besojnë dhe unë mendoj se asgjë nuk do të ndryshojë në qytetin tonë”, shprehet Bojana Angjelkoviq.
Serbët e veriut i kanë bojkotuar zgjedhjet e fundit lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës, më 15 nëntor. Bojkotimi i zgjedhjeve kosovare bëhet pothuaj vazhdimisht në këtë pjesë, në të cilën ka përqendrim më të madh të strukturave paralele të financuara nga Qeveria e Serbisë.
Zgjedhjet e fundit që Qeveria e Serbisë i ka mbajtur në veri të Mitrovicës, kanë qenë ato të 11 majit të vitit 2008, vetëm 3 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.