Ndërlidhjet

Qeveria hesht, shoqëria civile në veprim


Mitrovicë
Mitrovicë

Një rrjet i organizatave joqeveritare dhe lëvizjeve të ndryshme, ka filluar nënshkrimin e një peticioni në Mitrovicë për të kundërshtuar zgjedhjet serbe në veri të Kosovës, të paralajmëruara se do të mbahen më 30 maj. Përfaqësuesit e rrjetit kanë thënë se iniciativa ka ardhur si pasojë e mosveprimit nga ana e institucioneve të Kosovës për pengimin e atyre zgjedhjeve.


Derisa përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës dhe të partive politike serbe, po vazhdojnë fushatën e tyre parazgjedhore për zgjedhjet e 30 majit, institucionet e Kosovës, deri më tash nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre.

Zyrtarë qeveritarë kanë përsëritur se zgjedhjet e organizuara nga organet paralele serbe janë ilegale dhe të papranueshme.

Mirëpo, rreth 40 përfaqësues të organizatave joqeveritare, shoqatave e lëvizjeve të ndryshme nga komuna e Mitrovicës dhe më gjerë, si kundërpërgjigje ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, e që nuk kanë ndërmarrë asgjë për pengimin e mbajtjes së atyre zgjedhjeve, kanë filluar nënshkrimin e një peticioni.

Xhelal Sfeçla, njëri nga anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe përfaqësues i organizatave për nënshkrimin e peticionit, ka thënë se një iniciativë e tillë ka ardhur si pasojë e mosveprimit nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Ne, si organizata, i kundërshtojmë këto zgjedhje, sepse ato e ndajnë vendin në baza etnike, e përçajnë popullin e Kosovës. Kurse, pakicën serbe e bëjnë të varur nga Beogradi, i cili tash dhjetë vjet po e lufton sovranitetin e Kosovës”.

“Po ashtu, një përgjegjësi për situatën e mbajnë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilat kanë të gjitha mundësitë dhe përgjegjësitë që t’i ndalin këto zgjedhje, por nuk po ndërmarrin asgjë
”, ka thënë Sfeçla.

Sfeçla ka kërkuar nga institucionet e vendit që reagimi i tyre të jetë i menjëhershëm dhe efikas në shuarjen e strukturave paralele serbe dhe, siç ka thënë ai, ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve ilegale të paralajmëruara, në veri të Kosovës.

Peticioni, sipas Sfeçlës, do t’u adresohet të gjitha institucioneve më të larta të vendit dhe atyre ndërkombëtare, si dhe autoriteteve të pushtetit lokal, me kërkesë që të ndërmarrin masa për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Ky peticion do t’u dërgohet të gjithë faktorëve relevantë, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, por nëse e shohim të arsyeshme edhe më gjerë, si për shembull Parlamentit Evropian”.

“Dhe, se çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës, them që këta le t’i pyesin shtetet e vërteta sovrane se si do të reagonin po qe se një shtet tjetër do të organizonte zgjedhje jolegale në territorin e një shteti tjetër”,
është shprehur Sfeçla.

Ndryshe, që nga fillimi i fushatës parazgjedhore serbe, zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ata të partive politike serbe, kanë qëndruar në veri të Mitrovicës duke marrë pjesë në aktivitetet e tyre paraelektorale.

Megjithatë, autoritetet e rendit kanë konstatuar se deri më tash, për arsye të paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe, nuk është shënuar asnjë incident.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka thënë se policia nuk mbështet zgjedhjet e paralajmëruara, por kujdeset për rendin dhe qetësinë.

“Policia e Kosovës ka qëndrimin e saj - nuk i mbështet këto zgjedhje. Mirëpo, detyrë primare e Policisë së Kosovës është ruajtja e rendit dhe qetësisë në tërë rajonin e Mitrovicës, si dhe në ato zona ku do të mbahen zgjedhjet. Ne nuk do të jemi të angazhuar drejtpërdrejt, ose të mbështesim në çfarëdo forme këto zgjedhje”
, ka deklaruar Hoti.

Zgjedhjet serbe në veri të Kosovës, do të zhvillohen edhe në lokalitetet, ku përbërja e popullatës është e përzier me shqiptarë dhe serbë. Zëdhënësi Hoti thotë se kujdesi në ato zona do të jetë më i shtuar.

“Policia e Kosovës ka për detyrë primare që në radhë të parë t’i sigurojë këto zona të banuara me popullatë të përzier, të ngre masat e sigurisë me qëllim që t'u ofrojë një ambient të sigurt e të qetë të gjithë atyre të cilët nuk janë pjesë e këtij procesi zgjedhor
”, ka sqaruar Hoti.

Ndërkaq, në peticionin që ka filluar të nënshkruhet, thuhet se organizatat joqeveritare, me vetëdije dhe vullnet të plotë deklarojnë se zgjedhjet e Serbisë në veriun e Kosovës, nuk janë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, por janë në shërbim të politikës së Serbisë për ndarjen e Kosovës.
XS
SM
MD
LG