Ndërlidhjet

Ndarja e veriut - kërkesë indirekte serbe?


Mitrovicë
Mitrovicë

Pavarësisht deklaratave të fundit të përfaqësuesve të Serbisë që përjashtojnë ndarjen e Kosovës si opsion serioz për Beogradin, politikanët në Kosovë thonë se Beogradi, ndonëse jo të drejtpërdrejt, është përpjekur të krijojë kushte për ndarje.


Analistët për çështje politike në Kosovë dhe përfaqësues të partive politike opozitare, dikur pjesëmarrës të bisedimeve Prishtinë-Beograd për statusin e Kosovës, kanë mendime të kundërta lidhur me çështjen e veriut të Kosovës dhe mundësisë për ndarje të kësaj pjese nga territori i shtetit.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëri nga anëtarët e delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës, Ardian Gjini, thotë se Serbia nuk ka synuar asnjëherë ndarjen e drejtpërdrejtë të Kosovës, por që nga paslufta ka krijuar kushtet për ndarje.

“Kërkesat e politikat dhe mënyra se si është sjellë Beogradi zyrtar ndaj Kosovës - do të thotë me mbështetjen e strukturave paralele dhe kërkesave që i ka pasur sa i përket decentralizimit dhe mbrojtjes së monumenteve, kanë bërë të besojmë fuqishëm edhe tash që ka qenë politikë e Beogradit krijimi i kushteve për ndarje të Kosovës”, thotë Gjini.

Komenti i ish-përfaqësuesit të palës kosovare në Vjenë pason deklaratat e zyrtarëve serbë, sipas të cilëve, në Beograd askush nuk mendon seriozisht për ndarjen e Kosovës.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ditë më parë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë përjashtoi mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke thënë se ndarja “do të nxiste tensione serioze mes serbëve dhe shqiptarëve dhe nuk do të mbetej pa ndonjë konflikt me veprim të kufizuar”.

Njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë shprehin bindjen se as Bashkësia Ndërkombëtare nuk është e interesuar të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së Kosovës.

Analisti Ismail Hasani thekson se, në rast të futjes së çështjes së veriut në agjendën e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, fokusi duhet të jetë jeta e qytetarëve shqiptarë dhe serbë në të dy anët e lumit Ibër.

“Mundësia për biseda lidhur me veriun e Kosovës, nënkupton problemet që janë të lidhura ndërmjet qytetarëve në pjesën jugore dhe në pjesën veriore të Mitrovicës”.

“Përveç kësaj, edhe mundësia e funksionimit të shtetit të Kosovës në tërë territorin e saj, që nënkupton edhe një pjesë të konsiderueshme të territorit, i cili aktualisht administrohet pjesërisht, apo aspak, nga institucionet e Kosovës”,
thekson Hasani.

Zgjidhja e problemeve që preokupojnë banorët e veriut të Kosovës dhe integrimi i kësaj pjese në jetën institucionale të vendit, janë qëllim i një strategjie të hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO).

Zbatimi i këtij dokumenti, megjithatë, po has në telashe për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë të veriut për t’i pranuar institucionet e Kosovës dhe ICO-në, e cila mbikëqyr zbatimin e Planit të Ahtisarit në Kosovë.

Analistja nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, nuk hedh poshtë mundësinë për ekzistimin e kërkesave të serbëve të veriut për të rishikuar Pakon e Ahtisarit.

Mirëpo, Knaus shprehet pesimiste lidhur me rishikimin apo rihapjen eventuale të këtij dokumenti si tërësi.

“Ajo për të cilën po flasim është, në fakt, rihapja e Pakos së Ahtisarit për ata serbë në Kosovë, të cilët ende nuk e kanë pranuar këtë realitet të ri në vend. Mendoj se këtu bëhet fjalë për veriun - për rikthimin e sundimit të ligjit në veri dhe shqyrtimin e një politike kyndërproduktive që dëmton njerëzit në terren”.

“Andaj, mendoj se rihapja e pakos së Ahtisarit në përgjithësi nuk është rruga e drejtë përpara. Fokusi do të duhej të ishin problemet praktike”,
vlerëson Knaus.

Mundësinë e rishikimit të Planit Ahtisari, mbi të cilin bazohet shtetësia e Kosovës, e hedh poshtë dhe analisti Hasani.

“Nuk ka mundësi, përfundimisht. Kosova nuk ka asnjë parametër që të krijohet mundësia për rishqyrtimin e Pakos së Ahtisarit, sepse atëherë do të fillonte lëvizja e ortekut të gjithmbarshëm të Evropës Juglindore për rikompozim të kufijve”.

“Për këto, bota nuk ka kohë dhe mbase mund të jetë lodhur edhe me Ballkanin për këto rindarje dhe rikompozime”,
shprehet Hasani.
XS
SM
MD
LG