Ndërlidhjet

SHBA-të mbështesin Seulin në krizën me Penjanin


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Uashingtoni ka shprehur mbështetjen për Korenë e Jugut pas mbytjes së anijes luftarake, incident për të cilin fajësohet Koreja e Veriut. Penjani duhet të kërkojë falje dhe të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmit, ka deklaruar Seuli zyrtar. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë njoftuar se do të zhvillojnë së shpejti prova të përbashkëta ushtarake. Në gadishullin korean gjenden 28 mijë ushtarë amerikanë.



Tensionet po njohin rritje të mëtejshme në gadishullin korean. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Xhong Il, ka urdhëruar ushtrinë që të jetë e gatshme për luftime.

Hapi i Penjanit vjen pas deklaratës së Shteteve të Bashkuara, ku Uashingtoni i ofron mbështetje Koresë së Jugut, lidhur me incidentin ku një anije luftarake e Seulit është mbytur si pasojë e sulmit nga Koreja e Veriut. Incidenti që ndodhi në mars të këtij viti, rezultoi me vdekjen e 46 marinarëve jugо-koreanë.

Shtëpia e Bardhë bën të ditur përmes një deklarate se presidenti Obama ka urdhëruar komandantët ushtarakë të bashkëpunojnë ngushtë me homologët e tyre koreano-jugorë, për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara kanë 28 mijë ushtarë në gadishullin korean.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë qëndrimit në Pekin, kërkoi nga Kina, partenri kryesor i Koresë së Veriut, që të bashkëpunojë me Uashingtonin.

“Koreja e Veriut është një çështje urgjente. Vitin e kaluar punuam së bashku të miratonim dhe të sillnim në fuqi një rezolutë të fuqishme të Këshillit të Sigurimit, që ishte përgjigje ndaj provave bërthamore të Koresë së Veriut”.

“Sot përballemi me një tjetër sfidë serioze, që është provokuar nga mbytja e anijes së Koresë së Jugut. Duhet të punojmë sërish së bashku për tа adresuar këtë sfidë dhe t’i çojmë përpara objektivat tona të përbashkëta për paqe e stabilitet në gadishullin korean”,
tha Klinton.

Kina, partneri më i afërt tregtar i Koresë së Veriut, nuk ka qenë e gatshme të mbështesë masa të ashpra kundër vendit komunist, edhe kur diskutohej për programet bërthamore të Penjanit. Këto të fundit kanë qenë një nga shqetësimet kryesore të sigurisë në perëndim.

Presidenti i Koresë së Jugut, Li Mung Bak, tha se do ta çojë çështjen e anijes së mbytur nga Penjani në Këshillin e Sigurimit. Incidenti i marsit llogaritet si më vdekjeprurësi mes dy shteteve, që nga fundi i luftës mes Koreve në vitet 1950-’53. Afro 60 vjet pas përfundimit të luftës, të dyja shtetet nuk kanë nënshkruar ndonjë pakt që shënon zyrtarisht fundin e armiqësive.

Li, përmes një deklarate televizive, kërkoi nga Penjani që t’i kërkojë falje Koresë së Jugut dhe autorët e sulmit të ndëshkohen. Ai shtoi se Seuli zyrtar nuk do ta lejojë Korenë e Veriut që t’i përdorë ujërat e kontrolluara nga Koreja e Jugut.

Seuli njoftoi pezullimin e aktiviteteve të përbashkëta ekonomike me Korenë e Veriut, duke i cilësuar ato “të pakuptimta” në rrethanat aktuale.

“Krijimi i bizneseve të reja në kompleksin industrial të Kesongut, si dhe investimet e tjera të përbashkëta do të ndalohen. Aktivitetet prodhuese që funksionojnë në këtë kompleks, nuk do të pengohen, por numri i punonjësve jugo-koreanë në këtë qendër do të zvogëlohet
”, tha ministri jugo-korean për bashkimin e Koreve.

Si pjesë e masave që po merren në këtë kuadër janë dhe provat ushtarake të nëndetëseve, të cilat, sipas burimeve nga Seuli zyrtar, do të zhvillohen në bashkëpunim me trupat amerikane.

“Planifikojmë që forcat jugo-koreane dhe ato amerikane të mbajnë ushtrime ushtarake kundër nëndetëseve në të ardhmen e afërt. Forcat elite nga Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Koresë do të marrin pjesë në këto ushtrime aftësuese”, tha ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut.

Masat vijnë në më pak se një javë që nga publikimi i rezultateve të hetimit për mbytjen e anijes jugo-koreane.

Ekspertë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia dhe Suedia, në raportin e tyre, theksojnë se një torpedo ka sulmuar anijen jugo-koreane. Nga copat e torpedos të mbledhura në fundin e detit, në vendin e incidentit, është vërtetuar se ato i takonin një torpedoje - prodhim i Koresë së Veriut. (i.b.)
XS
SM
MD
LG