Ndërlidhjet

Forumi i Aleancës së Civilizimeve


Një pakistanez duke përgatitur një pano kundër SHBA-ve dhe kundër Facebook-ut...
Një pakistanez duke përgatitur një pano kundër SHBA-ve dhe kundër Facebook-ut...

Aleanca e Civilizimeve e Kombeve të Bashkuara do të mbajë forumin e tretë vjetor në Rio de Zhanerio të Brazilit, nga data 27 deri më 29 maj. Në konferencën e titulluar “Krijimi i kulturave, ndërtimi i paqes” do të marrin pjesë personalitete të larta, përfshirë presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban ki-Mun.



Me tezën e tij të diskutueshme të vitit 1993, shkencëtari amerikan, Samuel Huntington, pati argumentuar se bota do të shohë një “përplasje të qytetërimeve”. Huntington pati shkruar se “thyerjet mes qytetërimeve do të jenë linjat e betejës për të ardhmen”.

Sidoqoftë, shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, një agjenci e Kombeve të Bashkuara po punon për të siguruar që qytetërimet të lëvizin më pranë njëri-tjetrit, e jo më larg.

Duke filluar nga kjo e enjte, Aleanca e Civilizimeve e Kombeve të Bashkuara do të mbajë forumin e tretë vjetor në Rio de Zhaneiro të Brazilit. Në konferencën triditëshe, të titulluar “Krijimi i kulturave, ndërtimi i paqes”, do të marrin pjesë personalitete të larta, përfshirë presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Mun.

Organizatorët presin rreth 2,000 pjesëmarrës, përfshirë liderë politikë, fetarë, si dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Konferenca e kësaj jave do të përfshijë një numër të sesioneve të punës, duke u përqendruar në çdo gjë: nga migrimi, të drejtat e njeriut e deri te arsimi. Po ashtu, do të mbahet një sesion i fokusuar në rrjetet sociale dhe internetin, në kohën kur Pakistani ka marrë vendim për ta bllokuar faqen e Facebook-ut, pasi që një grup i këtij rrjeti u kishte bërë ftesë përdoruesve “që t’i paraqisnin fotografitë e Profetit Muhamed”. Islamabadi pasoi këtë lëvizje me një ndalim tjetër të faqes Youtube, të cilin e hoqi më 26 maj.

Në këtë aleancë marrin pjesë vendet, si: Afganistani, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Irani, Kazakistani, Mali i Zi, Pakistani, Rusia, Serbia, Ukraina dhe Uzbekistani.

Pavarësisht ekzistencës prej gjysmë dekade, Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar Aleancës vetëm dy javë më parë.

Aleanca e Civilizimeve e Kombeve të Bashkuara ishte formuar në vitin 2005, me propozimin e qeverive të Spanjës dhe të Turqisë. Historiani i shquar spanjoll, German Rueda Hernanz, është në mesin e kritikëve të punës së saj:

“Nocioni i një aleance do të thotë se duhet të kemi disa gjëra të përbashkëta. Por, e vërteta është se termi i aleancës po përdoret në një mënyrë të pasinqertë. Një shpenzim jashtëzakonisht i lartë nga ana e botës, sepse të gjitha shpenzimet e OKB-së, në fund të fundit, vijnë nga paraja publike. Aleanca po jep rezultate të pakta, madje edhe negative”, thotë German Rueda Hernanz.

Aleanca e Civilizimeve e Kombeve të Bashkuara nuk është një organizatë e madhe. Ajo ka një zyrë me rreth 12 persona në Nju Jork.

Emmanuel Kattan është këshilltar në këtë aleancë:

“Ekipi i Aleancës nuk është shumë i madh. Por, me kontaktet që bëjmë, zhvillojmë dhe rrisim gamën e veprimit të aleancës. Ne punojmë si një lloj linje në mes të nivelit ndërqveritar dhe diapazonit të shoqërisë civile dhe iniciativave shoqërore, të cilat prodhojnë ide shumë kreative”, thotë Emmanuel Kattan.

Aleanca e Civilizimeve gjithashtu përfshin një grup prej 20 këshilltarësh të nivelit të lartë, si akademiku rus, Vitaly Naumkin, dhe ish-presidenti i Iranit, Mohammad Khatami.

Aleanca nuk e ka konfirmuar e as mohuar pjesëmarrjen e Khatamit në konferencën e sivjetme.

Khatami ishte kampion i idesë së “dialogut midis qytetërimeve”, kur mori pjesë në forumin e agjencisë së Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar, në Stamboll. Por, autoritetet iraniane kanë bërë presion mbi Khatamin që të mos udhëtojë jashtë vendit, duke bërë atë që të anulojë paraqitjen në një konferencë ndërkombëtare, që u mbajt muajin e kaluar në Japoni.

Pa marrë parasysh nëse Khatami do të marrë pjesë ose jo, Aleanca e Civilizimeve shpreson t’i pakësojë keqkuptimet mes kulturave.

Thomas Uthup është menaxher i hulumtimeve dhe arsimit në këtë Aleancë.

“Unë do të thosha se kjo është një mundësi për të rishikuar tezën e Huntingtonit mbi ‘përplasjen e qytetërimeve’, 17 vjet pasi ajo është paraqitur. Aleanca e Civilizimeve, në njëfarë mënyrë, lindi si përgjigje ndaj kësaj paradigme, sepse ekziston një ndjenjë se kjo paradigmë, në realitet, nuk ekziston me doemos”,
thotë Thomas Uthup.

Për të kuptuar ndarjen konfuze në mes të qytetërimeve, nuk duhet shikuar më larg se konferenca në Brazil. Analisti brazilian, Matias Spektor, thotë se Brazili është një shtëpi për popullsinë më të madhe me ngjyrë jashtë Nigerisë, për popullsinë më të madhe japoneze jashtë Japonisë dhe për popullsinë më të madhe libaneze jashtë Libanit.

Spektor beson se konferenca paraqet një mundësi për dialog në mes të qytetërimeve.

“Kur ndodhën sulmet e 11 Shtatorit, shumë nga debatet politike lidhur me atë se si duhet qasur luftës kundër terrorizmit, kishin të bënin me atë që të ndahet bota në mes të vendeve të qytetëruara dhe atyre barbare. Por, një shpjegim i arsyeshëm i Aleancës është që të bëhen përpjekje jo vetëm për të ndërtuar ura mbi hendeqe, por edhe mënyra për të diskutuar mbi atë se si funksionojnë kulturat dhe politikat në shekullin 21. Ideja për të pasur një botë të ndarë në vende të civilizuara dhe më pak të civilizuara, është një anatemë e bindjeve të organizatorëve të Aleancës”, thotë Matias Spektor.

Konferenca thuhet se është një vërejtje për ata që e shihnin “përplasjen e civilizimeve” si të pashmangshme. (v.t.)
XS
SM
MD
LG