Ndërlidhjet

Përpjekjet për të ndalur rrjedhjet e naftës


Luzianë
Luzianë

Në Gjirin e Meksikës vazhdojnë përpjekjet për ndaljen e rrjedhjes së naftës, për të cilën shkencëtarët amerikanë thonë se është më e madhja në histori. Presidenti Barak Obama shpalli një varg masash, përfshirë zgjatjen për gjashtë muaj të moratoriumit për ndalimin e shpimit në ujërat e thella.


Kompania British Petrolium (BP) po bën përpjekje për t’i ndalur rrjedhjet masive të naftës në Gjirin e Meksikës, që shkaktuan derdhjen më të madhe të naftës në historinë e Shteteve të Bashkuara.

British Petrolium tha se rrjedhja ka një kosto prej 930 milionë dollarësh.

Shefi i shërbimeve të kompanisë BP, Doug Suttles, tha se asgjë nuk kishte shkuar “gabim, apo e paplanifikuar”.

“A jemi të befasuar se kjo punë po merr kaq shumë kohë? Jo në mënyrë të veçantë. Disa gjëra që kemi bërë, kanë marrë më shumë kohë se’ç kemi menduar, kryesisht për faktin se është e vështirë të bëhen gjëra në 1,500 metra ujë”,
tha Suttles.

Ndërkohë, është zbuluar se ka shpërthyer dhe se po del shumë më shumë naftë sesa që është menduar më parë, gjë që përbën derdhjen më të madhe në historinë e SHBA-ve.

Vlerësimet e shkencëtarëve thonë se nafta ka shpërthyer jashtë me një sasi prej 12,000 deri në 19,000 fuçi, ose 1.9 milion deri në 3.8 milionë litra në ditë.

Kjo është më shumë sesa 5 mijë fuçi në ditë, që BP dhe Rojet Bregdetare kishin vlerësuar fillimisht, pas shpërthimit të pusit pesë javë më parë.

Derdhja e naftës tashmë ka ndotur rreth 160 kilometra të bregdetit të Luzianës, duke kërcënuar moçalet e brishta dhe duke rrezikuar industrinë e peshkimit në këtë shtet jugor.

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, mbron menaxhimin e krizës nga ana e qeverisë së tij.

"Ne do të vazhdojmë me moratoriumin aktual dhe do të pezullojmë lëshimin e lejeve të reja për shpimin e puseve të tjera të thella nënujore, për gjashtë muaj",
tha Obama.

Obama, po ashtu, pezulloi shpimin në 33 pika kërkimore në Gjirin e Meksikës dhe anuloi shitjen e kontratave në det të hapur në brigjet e Alaskës dhe të Virxhinias.

"Kjo derdhje e naftës ka bërë të qartë se na duhen më tepër reforma. Me vite ka pasur një raport të ngushtë skandaloz në mes të kompanive të naftës dhe agjencisë që i rregullon ato. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që t’i ndajmë njerëzit që lejojnë shpimin, nga ata që rregullojnë dhe sistemojnë sigurinë e shpimeve",
tha Obama.

Disa orë para fjalimit të Obamës, Elizabeth Birnbaum, drejtuese e Shërbimit rregullator të Menaxhimit të Mineraleve dha dorëheqje, pasi agjencia e saj u gjet në thumb të kritikave të shumta.

Një sondazh i opinionit tregoi se 60 për qind e amerikanëve janë të pakënaqur me reagimin e qeverisë ndaj derdhjes së naftës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG