Ndërlidhjet

Puna rreth raportit të progresit


Dorëzimi i të ashtuquajturave “inpute” për raportin e ardhshëm të progresit nga ana e Qeverisë së Kosovës, nga njohësit e zhvillimeve evropiane në Prishtinë, vlerësohet si hap pozitiv, por jo vendimtar për hartimin e dokumentit final të Komisionit Evropian për 2010-tën. Zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian theksojnë se do të merret parasysh raporti vlerësues i Qeverisë së Kosovës, por puna kryesore për hartimin e raportit të progresit, u takon mekanizmave evropianë.


Komisioni Evropian do të marrë parasysh të ashtuquajturat “inpute” të Qeverisë së Kosovës për hartimin e raportit final të progresit për vitin 2010, thonë në zyrën Ndërlidhëse të këtij mekanizmi në Prishtinë.

Por, nuk është vetëm Qeveria e Kosovës, e cila ia ka dorëzuar Komisionit Evropian raportin vlerësues për punën e saj njëvjeçare.

Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviq, njofton për thirrjen e mëparshme, të cilën Brukseli u ka bërë edhe kontribuuesve të tjerë eventualë në hartimin e dokumentit, e që përfshin edhe vlerësimet e shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare dhe të tjera.

Megjithatë, deri në vjeshtën e këtij viti, Kosova do të jetë në pritje të kritikave të radhës të BE-së për arritjet që janë bërë në politikë, ekonomi dhe në përmbushjen e standardeve evropiane.

“Në këtë dokument do të punohet deri në momentin e fundit në vjeshtë, në një datë të caktuar, për të cilën do të vendoset për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë”.

“Qeveria e Kosovës do ta marrë raportin e progresit vetëm kur ai të ketë përfunduar. Nuk do të ketë ndonjë kopje të mëparshme”
, thotë Pavloviq.

Qeveria e Kosovës
Dokumentin vlerësues për punën e bërë përgjatë një viti në përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian, e ka përgatitur këtë vit Ministria për Integrime, e cila raportin në fjalë ia dorëzoi Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, një ditë para finalizimit të draft-raportit të progresit për vitin 2010.

Pavarësisht rëndësisë që u është kushtuar në opinionin publik kosovar të ashtuquajturave “inpute” të Qeverisë së Kosovës, njohësit e zhvillimeve evropiane në vend thonë se takimet sektoriale që mbahen në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit, janë forumi kryesor, përmes të cilit zyrtarët evropianë informohen për punën e vendeve veç e veç.

Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, thekson nevojën për zbatimin e kritereve të vëna nga Bashkimi Evropian.

“Është mirë që është ruajtur ky input, por sido që të jetë, Kosova duhet të fokusohet më shumë në zbatimin e kritereve, sesa në marketing politik në lidhje me këto raporte që nuk janë shumë sinjifikuese për proces”
, shprehet Muharremi.

Në raportin e vitit të kaluar, në radhët e shqetësimeve më të mëdha që Bashkimi Evropian kishte lidhur me Kosovën, ishin sundimi i ligjit dhe çështjet që ndërlidhen me të.

Nisja e hetimeve të rasteve të korrupsionit nga ana e misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit është përshëndetur nga Brukseli zyrtar.

Mirëpo, Muharremi thotë se puna e EULEX-it nuk do të radhitet në kuadër të arritjeve të institucioneve kosovare brenda vitit të kaluar.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë në agjendën e Komisionit Evropian për tërë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sido që të jetë, unë mendoj se Kosova qëndron më së keqi nga këto, për shkak se vetë fakti që EULEX-i ekziston në Kosovë, demonstron që Kosova s’i ka kapacitetet e saj”,
vlerëson Muharremi.

Megjithatë, autoritetet kosovare shprehin bindjen se raporti i progresit i vitit 2010, do të jetë më i mirë sesa ai i vitit të shkuar.

Karshi kushteve të tjera, përmirësimi i funksionimit të institucioneve të sundimit të ligjit thuhet se do të jetë proces i pashmangshëm për autoritetet kosovare, po qe se ato duan të jenë pjesë e BE-së.

Lexoni edhe këto: Raporti i progresit apo i regresit?
Sfidat e raportit të progresit

XS
SM
MD
LG