Ndërlidhjet

Sejdiu/Thaçi: Pas GJND-së, njohje të reja


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Liderët e Kosovës shprehën bindjen se pas publikimit të opinionit nga GJND-ja, do ta kenë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në koordinimin e hapave të mëtejmë politikë. I kthyer nga Malavi, presidenti Sejdiu tha se do të ketë shtim të njohjeve të shtetësisë së Kosovës, ndërsa pas vizitës në Bruksel, kryeministri Thaçi u shpreh optimist për një unitet evropian pas GJND-së, sa i përket Kosovës.



Edhe pse nuk është caktuar ndonjë datë konkrete se kur mund të bëhet publik mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, skena politike në Prishtinë dhe ajo në Beograd po bëjnë përgatitjet për agjendën pas kësaj ngjarjeje.

Planet për krijimin e një agjende vepruese politike pas mendimit të GJND-së duket se janë bërë një nga temat më të rëndësishme të diskutimeve edhe në takimet që udhëheqësit e Kosovës po zhvillojnë me përfaqësues të shteteve të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

Pas kthimit të tij nga Malavi, presidenti i Kosovës, Fatmir Sedjiu, shprehu bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t'i vlerësojë argumentet e palës kosovare, të cilat, siç tha ai, janë të parrëzueshme.

Presidenti Sejdiu shfaqi besimin për rritjen e numrit të njohjeve pas mendimit të institucionit më të lartë të drejtësisë në botë.

“Unë s’dua të paragjykoj se cili është mendimi i gjykatës, por unë them paralelisht se Kosova është një realitet pozitiv, një realitet që nuk kthehet pas. Paralelisht, mund të them se 69 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, kanë pasur arsyet e veta të plota. Them se do të ketë edhe shumë vende të tjera që do ta njohin në proceset e mëtejshme”, u shpreh Sejdiu.

Një pjesë e madhe e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë dërguar po ashtu argumentet e tyre pro pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Rëndësinë që nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, për ligjshmërinë e shpalljes së shtetësisë së vendit të binden edhe 5 shtetet që nuk e kanë bërë këtë gjë, e theksoi pas realizimit të vizitës në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se në takimet që ka zhvilluar me shefen e diplomacisë evropiane, Eshton, komisionarin e BE-së për zgjerim, Fylle, ministrin e jashtëm belg, Letereme, dhe zyrtarë të tjerë të lartë në BE, është diskutuar për përgatitjet që do t'i ketë Kosova pas publikimit të mendimit të GJND-së. Ai tha se e ardhmja evropiane e vendit është e sigurt.

“Bashkimi Evropian, edhe pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, do të ketë një qëndrim shumë unik për të ardhmen e Kosovës, për t’u integruar edhe në NATO, edhe në BE, por edhe për relacionet e reja në kuptimin e çështjeve praktike ,edhe me shtetin e Serbisë, pra si dy shtete të veçanta, të integruara në strukturat euro-atlantike”, theksoi Thaçi.

Përveç bashkërendimit të hapave me faktorin ndërkombëtar, opozita kosovare, ditë më parë, kishte propozuar idenë e krijimit të tryezës së përbashkët koordinuese për veprimet pas GJND-së. Presidenti Sejdiu, megjithatë, theksoi rëndësinë që këto përgatitje të mbesin në nivelin institucional.

Është koha që të jetë respekt i plotë në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ka çdo institucion i vendit. Natyrisht, është koha që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme që ka, por gjithnjë mbi bazën institucionale”, theksoi presidenti i Kosovës.

Kërkesa ndërkombëtare që pas GJND-së Beogradi e Prishtina të ulen në tryezën e diskutimeve, për të biseduar për çështje, siç quhen, praktike, sipas kryeministrit Thaçi, përjashton mundësinë e rikthimit të çështjes së statusit dhe të integritetit territorial të vendit.

“Në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë hapje të çështjes së statusit e as të çështjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Mendimi i GJND-së pritet të jetë neutral, gjë që vlerësohet të hapë çështjen e interpretimeve të ndryshme jo vetëm në Prishtinë e Beograd, por edhe në mesin e vendeve aleate të të dyja palëve.
XS
SM
MD
LG