Ndërlidhjet

Gjenerali urdhërohet t’i shpjegojë kritikat


Presidenti Obama foli rreth komenteve të gjeneralit MekKristal pas takimit të kabinetit.
Presidenti Obama foli rreth komenteve të gjeneralit MekKristal pas takimit të kabinetit.
Disa komente të kryekomandantit amerikan në Afganistan, gjeneralit Stenli MekKristal, kanë shkaktuar reagime të shumta në Uashington.

Presidenti Barak Obama i urdhëroi gjeneralit që të kthehet menjëherë në Uashington dhe të japë sqarime për komentet, në të cilat i kishte kritikuar zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara.

Gjeneralit Stenli MekKristal iu dha një urdhër i rrallë - menjëherë të shkojë në Uashington për t’i shpjeguar kritikat që i kishte bërë ndaj zyrtarëve të lartë të administratës Obama.

I pyetur nga gazetarët nëse MekKristal mund të humbë punën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”.

Komentet e bëra nga gjenerali dhe disa anëtarë të stafit të tij u publikuan në revistën “Rolling Stone”.

Në artikullin e titulluar “Gjenerali i arratisur”, MekKristal bën komente sarkastike për nënpresidentin Xho Bajden, i cili njihet si skeptik për strategjinë e MekKristalit në konfliktin në Afganistan.

Teksti përmban komente shpotitëse nga MekKristali dhe bashkëpunëtorët e tij edhe për ambasadorin amerikan në Afganistan, Karl Ekenberi, për emisarin amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, dhe për këshilltarin për siguri kombëtare, Xhejms Xhons.

Stenli MekKristal
Në një pikë, MekKristal i thotë gazetarit se në takimin e parë të tij me presidentin Barak Obama, presidenti kishte ardhur i papërgatitur.

Obama foli për çështjen pas takimit të kabinetit, të martën në mbrëmje.

“Mendoj se është e qartë se artikulli, në të cilin u shfaqën ai dhe ekipi i tij, tregoi gjykim të dobët. Por, unë gjithashtu dua të bisedoj me të drejtpërdrejt, përpara se të marr ndonjë vendim përfundimtar”, tha Obama.

Më herët, qëndrimin e shprehu edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs.

“Padyshim, gjenerali MekKristal, ashtu siç tha sekretari Gejts, ka bërë një gabim të rëndë, për të cilin do të ketë rastin të flasë me zyrtarët në Pentagon dhe komandantin suprem”, tha Gibs.

Në Uashington u paraqitën spekulime nëse gjenerali do të shkarkohet, do të mbetet apo do të përjashtohet.

Zëdhënësi i Hamid Karzait tha se presidenti i Afganistanit e mbështet plotësisht gjeneralin dhe “beson se është komandanti më i mirë që Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Afganistan në nëntë vjetët e fundit”.

Vetë Obama tha se vendimi, të cilin do ta marrë, do të duhet të ketë lidhje me suksesin e strategjisë në Afganistan.

“Atje kemi burra dhe gra të reja, që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme; këtu kemi familje që po ashtu bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme”.

“Çfarëdo vendimi që do të marr përkitazi me gjeneralin MekKristal apo ndonjë aspekt tjetër të politikës afgane, do të përcaktohet krejtësisht nga ajo se si të sigurohemi që kemi një strategji, e cila i justifikon guximin dhe sakrificat e jashtzakonshme të atyre burrave dhe grave atje, për ta bërë këtë vend më të sigurt”,
tha presidenti Obama.

MekKristal kërkoi falje për artikullin dhe tha se ai ishte një “gabim që pasqyronte gjykimin e dobët” dhe se “nuk duhej të ndodhte”.

Por, drejtori ekzekutiv i revistës tha se gjenerali e kishte lexuar artikullin përpara se të botohej dhe nuk kishte bërë ndonjë vërejtje për përmbajtjen e deklaratave të tij. (v.p.)

XS
SM
MD
LG