Ndërlidhjet

Marrëveshjet tregtare me BE-në


Procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve tregtare me Bashkimin Evropian, sipas drejtuesve të institucioneve të Kosovës, është një proces afatgjatë që mund të zgjasë me vite, por e rëndësishme, sipas tyre, është që Kosova ka hyrë në këtë proces dhe në vazhdimësi janë duke punuar në krijimin e kushteve ekonomike që Kosova të bëhet pjesë e marrëveshjeve tregtare me BE-në.


Kosova deri në fund të vitit 2010 ka preferencat autonome tregtare, të cilat i ka dhënë Bashkësia Evropiane për Kosovën, por edhe një rekomandim që këto preferenca të vazhdohen edhe për pesë vjetët e ardhshme thonë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve tregtare me BE-në, ata thonë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Ministri i Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, thekson se në fillim të muajit korrik të këtij viti Komisioni Evropian do të sjellë në Kosovë vlerësimin e 217 pyetjeve që janë bërë kohë më parë nga institucionet kosovare, e të cilat kanë të bëjnë me arritjen e marrëveshjeve tregtare të Kosovës me BE-në.

Besim Beqaj
“Është shumë i rëndësishëm procesi i përmbushjes së përgjigjeve që kanë arritur nga KE-ja. Ne presim që në fillim të muajit të ardhshëm të kemi misionin e KE-së, për të vlerësuar dhe për të shikuar cilat janë nevojat shtesë për të kaluar në hapin e dytë”.

“Ne kemi filluar një proces. Bashkimi Evropian, duke përfshirë të gjithë anëtarët e saj, ka një qëndrim unik rreth marrëveshjeve tregtare”,
shprehet ministri Beqaj.

Përmes këtyre marrëveshjeve tregtare me Bashkimin Evropian, në momentin e nënshkrimit, Kosovës do t’i mundësohet të ketë një qasje të barabartë në tregun e BE-së, një treg ky që mbulon mbi 500 milionë banorë.


Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike shprehin mendimin se teknikisht Kosova mund të përgatitet për tregjet evropiane, por ata thonë se duhet të punohen më shumë në legjislacionin tregtar.

Eksperti i ekonomisë, Berat Rukiqi, thotë se është me rëndësi që Kosova në këtë kohë ka një pyetësor, pasi që, sipas tij, me rekomandimet e Komisionit Evropian në një afat të shkurtër Kosova mund të jetë nënshkruese e një marrëveshjeje.
Duhet të angazhohemi shumë në ngritjen e konkurrencës së tregut vendor, në përhapjen e eksporteve dhe në kontrollimin e kufijve. Këto janë sfidat në këtë drejtim...


“Duhet të angazhohemi shumë në ngritjen e konkurrencës së tregut vendor, në përhapjen e eksporteve dhe në kontrollimin e kufijve. Këto janë sfidat në këtë drejtim”,
shprehet Rukiqi.

Ndërkohë, ministri i Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, thekson se nënshkrimi i marrëveshjeve tregtare me BE-në, është një proces afatgjatë, një proces që mund të zgjasë me dy ose tri vjet.

Mirëpo, sipas Beqajt, është me rëndësi që Kosova ka hyrë në këtë proces dhe që realisht do të plotësohen të gjitha kriteret, të cilat kërkohen, në mënyrë që të krijohet kushtet ekonomike që Kosova të ketë marrëveshje tregtare me BE-në.

“Me dinamikën, të cilën e kemi ndërtuar, mund të them që Kosova, në krahasim me shtetet tjera, do të jetë më e shpejtë në plotësimin e të gjitha kritereve, sesa vendet e rajonit”.

“Por, duhet të kemi parasysh se ne jemi shumë më vonë sesa vendet e rajonit në procese të vërteta transitore, në të cilat po kalon vendi. Ne kemi pak më pak më shumë se dy vjet pavarësi, ndërsa shtetet e rajonit kanë qenë të shumë më herët shtet”,
thekson Beqaj.

Një pengesë tjetër që paraqitet në procesin e hyrjes së Kosovës në marrëdhënie tregtare me Unionin Evropian, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, është edhe mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG