Ndërlidhjet

Kultivimi i bimëve narkotike në Kosovë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kultivimi i narkotikëve në Kosovë, nënkupton vetëm kultivimin e kanabisit, shkaku i klimës, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës. Ndërkaq, një ish-abuzues i këtyre substancave, thotë se tregu në Kosovë stimulon kultivimin e narkotikëve.


Rritja e numrit të keqpërdoruesve të substancave narkotike gjatë viteve të fundit në Kosovë, ka stimuluar edhe kultivimin e bimëve narkotike në këtë vend, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, por edhe personat që kanë abuzuar me substanca narkotike.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se në Kosovë ekzistojnë kushte klimatike të atilla për kultivim vetëm të bimëve të kanabisit dhe jo të llojeve tjera të bimëve narkotike.


Nëse i referohemi vetëm vitit 2009, kemi pasur mbi 33 mijë bimë kanabisi të konfiskuara, të cilat janë kultivuar në Kosovë.


“Mund të themi se vetëm lloji i drogës, apo bima kanabis-sativa, është bimë, e cila kultivohet në Kosovë. Viteve të fundit, është vërejtur, sipas punës që ka bërë Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e narkotikëve, se kemi pasur numër të madh të rasteve, kur policia ka konfiskuar bimë që janë kultivuar në Kosovë”.

“Nëse i referohemi vetëm vitit 2009, kemi pasur mbi 33 mijë bimë kanabisi të konfiskuara, të cilat janë kultivuar në Kosovë”
, thotë Sadriu.

Faktet për kultivimin e kanabisit në Kosovë i pohojnë edhe personat që kanë abuzuar me substanca narkotike. Njëri prej tyre, i cili thirrej me emrin Asi, thotë se ka qenë abuzues i mjeteve narkotike për nëntë vjet me radhë dhe se tash e një vit nuk e bën një gjë të tillë.

Por, ai thotë se ka biseduar me kultivues të narkotikëve, ndërkaq që edhe vetë ishte përpjekur të kultivojë bimë të kanabisit.
Bima e llojit kanabis

“Kultivohen... Shumica e tyre e kanë për biznes. Kushedi se ku e kanë gjetur vendin dhe e mbjellin. Kur tregojnë, thonë ‘i kam 100 fara’, por nuk tregojnë se ku i kanë, sepse frikohen se ua merr”.


“Por, e di se në tre vjetët e fundit, sipas tregut, ka pasur shumë bimë (narkotike) të mbjella në Kosovë. Për shembull, ka edhe të tillë që e mbjellin vetëm një bimë për vete dhe e rrisin për vete. Unë, personalisht, e kam mbjellë para pesë vjetësh një të tillë, por ka dështuar”,
rrëfen personi i quajtur Asi.


Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sadriu, thotë se të gjitha rastet e kultivimit të narkotikëve janë shqetësuese.

“Për ne, si Polici e Kosovës, edhe një rast i vetëm është shqetësues. Pavarësisht faktit që në Kosovë ka raste që kultivohet, bazuar në informacionet që kemi ne nga rajonet, do të thotë Kosova qëndron shumë poshtë, sa i përket kultivimit. Mirëpo, është shqetësues”,
thekson Sadriu.

Ndryshe, Asi thotë se kultivuesit e bimëve narkotike, në Kosovë kanë gjetur një treg të volitshëm që i stimulon ata të mos heqin dorë nga kultivimi i këtyre bimëve

“Numri i përdoruesve të marihuanës në Kosovë është i madh dhe çdo person që e kultivon, për shembull, ka leverdi të madhe prej asaj pune”.

“Ato shpërndahen me disa qese të vogla, të cilat kushtojnë nga 5 euro. Por, varet se si rritet një bimë. Nëse rritet deri në 3 metra, atëherë këso qese të vogla dalin diku rreth 600 copë... edhe e vlen”
, tregon Asi.

Por, Policia e Kosovës ka paralajmëruar aksione të shtuara në kuadër të strategjisë për parandalimin dhe luftimin e narkomanisë, si dhe kultivimit dhe trafikimit të substancave narkotike.

Zëdhënësi Sadriu thekson:

“Mund të themi se gjatë sezonit veror do të ketë operacione të shtuara, sidomos në vendet ku dyshohet se kultivohet kjo bimë. Gjithashtu, strategjia mundëson edhe stimulimin e informacioneve”.

“Bashkëpunimi me qytetarë është në nivel të kënaqshëm, momentalisht. Por, ne, si Polici e Kosovës, kërkojmë që ai të rritet, sepse kjo dukuri është rrezik potencial për shoqërinë”.


Sidoqoftë, Policia e Kosovës vetëm gjatë ditës së djeshme, në rajonin e Ferizajt dhe në rajonin e Prizrenit, ka sekuestruar 7.5 kilogramë substanca narkotike, që, sipas policisë, dyshohet të jetë heroinë e destinuar për tregun evropian.
XS
SM
MD
LG