Ndërlidhjet

G20 pajtohet për nxitjen e ripërtëritjes


Toronto: Krerët e G20-ës.
Toronto: Krerët e G20-ës.
Krerët e Grupit G20 i kanë caktuar vetes një detyrë të vështirë për vitet e ardhshme.

Në samitin e Torontos, ata lëshuan një deklaratë të përbashkët, e cila thotë se “ekonomitë e zhvilluara i janë përkushtuar përgjysmimit të deficiteve të tyre buxhetore deri në vitin 2013 dhe stabilizimit të borxhit të qeverisë deri më 2016”.

Ata po ashtu ranë dakord për të ndjekur politika që do të stimulonin rritjen ekonomike – me fjalë të tjera, për të zbatuar masat e kursimit dhe për të stimuluar masa të tjera në të njëjtën kohë – politika këto që, thënë hapur, janë kontradiktore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, erdhi në Toronto me paralajmërimin se përqendrimi i tepruar në shkurtimet e buxhetit, mund të rrezikojë rimëkëmbjen ekonomike dhe mund ta fusë botën përsëri në recesion. Ai donte që t’i vihej më shumë theks nevojës për të ndjekur politika pro-rritjes.

Ekonomitë evropiane, megjithatë, pohuan se borxhet e tyre të rënda dhe deficitet buxhetore paraqesin pengesa për rritje të qëndrusheme, por, sipas tyre, ato po trajtohen mirë, para se të ndodhin kriza të tjera, të ngjashme me atë Greqisë.

Deklarata e G20-ës po ashtu u bën thirrje disa vendeve në zhvillim që t’i lënë monedhat e tyre të lëvizin më lirshëm - një hap ky që thuhet se do ta bënte tregtinë botërore më të drejtë. Një gjë e tillë ishte e drejtuar qartë për Kinën, edhe pse emri i këtij shteti nuk u përmend.

Por, presioni që iu bë Pekinit para dhe gjatë samitit u shpagua në njëfarë forme.

Banka Popullore e Kinës sot vendosi normën më të fortë të këmbimit të Yuan-it në vite. Ajo e vendosi nivelin e Yuan-it në 6.7890 karshi dollarit, por përjashtoi lëvizjet dramatike të monedhës. Rritja e sotme është shumë e vogël, marrë parasysh llogaritjet e ekspertëve perëndimorë se Yuan-i është nënvlerësuar mes 24 dhe 40 për qind, krahasuar me valutat tjera të mëdha.

Ky hap pason zotimin e fundit të Bankës Qendrore të Kinës se do ta lërë Yuan-in më fleksibil ndaj dollarit.
Unë jam i sigurt se Kina do ta përmbushë zotimin. Kur bëhen zotime të tilla në skenën botërore, ju duhet të jeni të përgjegjshëm...

Megjithatë, ai u përshëndet nga kryeministri kanadez, Stephen Harper.

Deklarata përmban një zotim të rëndësishëm për fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit. Dhe, siç e dimë, kinezët pikërisht këtë zotim ia kanë bërë botës edhe para, edhe gjatë samitit. Unë jam i sigurt se Kina do ta përmbushë zotimin. Kur bëhen zotime të tilla në skenën botërore, ju duhet të jeni të përgjegjshëm për to”, tha Harper.

Një çështje tjetër që ka preokupuar presidentin Barack Obama në samitin e G20-ës ishte Korea e Jugut, e cila akuzon Korenë Veriore për fundosjen e luftanijes së saj, ku humbën jetën 46 marinarë.

Presidenti Obama gjatë adresimit në Toronto.
Ai u tha gazetarëve se ka biseduar “hapur” në lidhje me këtë çështje me presidentin e Kinës, Hu Jintao. Obama kërkoi nga Hu të mos jetë qëllimisht “i verbër” ndaj sejlljes së Phenianit.

Unë mendoj se presidenti i Koresë së Jugut ka treguar përmbajtje të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh rrethanat. Është tepër e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të rreshtohet pas tij dhe t’i dërgojë mesazh të qartë Koresë së Veriut se sjellja e tillë është e papranueshme dhe se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të rrisë presionin, derisa ajo të marrë vendim për të ndjekur rrugën që është në përputhje me normat ndërkombëtare”, tha Obama.

Kina është aleati kryesor i Koresë së Veriut, që i siguron asaj mbështetje ekonomike dhe diplomatike. (v.t.)
XS
SM
MD
LG