Ndërlidhjet

Arrestimi i agjentëve sekretë rusë


Zyra Federale e Hetimeve, FBI, ka arrestuar dhjetë persona, nën akuzat se kanë qenë agjentë sekretë të shërbimit rus të zbulimit. Qëllimi i të arrestuarve ishte depërtimi në qarqet e politikë-bërësve amerikanë. Këto informacione, Moska zyrtare, i ka cilësuar si kontradiktore.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se arrestimi i tyre është një rikthim i Luftës së Ftohtë. Përmes një deklarate, ministria tha se akuzat e SHBA-ve janë të pabaza dhe kanë qëllime “të paqarta”.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, deklaroi me sarkazëm të dukshëm se koha për arrestimet, është zgjedhur me kujdes të veçantë.

“Ata nuk na e kanë shpjeguar se me çfarë ka të bëjë kjo. Unë shpresoj se do ta bëjnë. Gjëja e vetme që mund të them është se momenti për t’i bërë këto, është zgjedhur me mjeshtri të veçantë”, ka thënë Lavrov, derisa shërbimi rus i zbulimit nuk deshi të komentojë rreth arrestimeve.

Ligji federal ndalon personat që të punojnë si agjentë të qeverive të huaja në territorin e Shteteve të Bashkuara, nëse paraprakisht nuk njoftohet Sekretariati për Drejtësi.

Arrestimet thuhet se janë rezultat i hetimeve disavjeçare. Siç njofton AP, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka zbuluar një measzh të shërbimit sekret rus për dy të akuzuarit që janë identifikuar si Riçard dhe Sintija Marfi.

Mesazhi thotë: “Jeni dërguar në SHBA për një periudhë më të gjatë. Arsimimi juaj, llogaritë bankare, makina, shtëpia – të gjitha i shërbejnë një qëllimi – të përmbushet misioni juaj kryesor, përkatësisht të gjenden dhe të zhvillohen lidhje në qarqet e politikës amerikane dhe të dërgohen informacione të fshehta”.

Havi Kler, ekspert për spiunazhin amerikan dhe rus në Universitetin Empori, thotë se është befasuar nga numri i personave të arrestuar dhe se kjo mund të çojë në konkludime të caktuara.

“Sigurisht, ky është një operacion shumë i madh, është befasues”, thotë ai.

Por, fakti se ka pasur arrestime, tregon se ata nuk kanë imunitet, thotë Kler.

“Këta njerëz nuk kanë imunitet. Ata janë të lidhur me diçka ilegale dhe nuk do të kenë mbrojtje diplomatike”, thotë ai.

Hetimet treguan se agjentët, me identitet të rremë, që nga viti 1990 kanë komunikuar me kode të fshehta dhe teknoligji të përparuara kompjuterike. (v.t.)

XS
SM
MD
LG