Ndërlidhjet

Çka po ndodh me zgjedhjet në veri të Mitrovicës?


Mitrovica
Mitrovica
Zyrtarët qeveritarë thonë se në momentin kur të ketë një sundim më të madh të ligjit në veri të Kosovës dhe fuqizim të autoriteteve të rendit, si i atyre të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, institucionet do të shpallin datën për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Ministri i Pushteti Lokal, Sadri Ferati, nuk ka dashur të japë afate kohore se kur do të shpallet data për zgjedhjet në veri të Mitrovicë, por ka shtuar se data nuk do të jetë shumë e largët.

Sadri Ferati

“Nuk flitet për vite, por mendoj se në momentin kur Beogradi ndryshon kursin dhe ka një qasje më të moderuar dhe konstruktive".

"Fuqizimi i EULEX-it, fuqizimi i Policisë së Kosovës, në mënyrë që qytetarëve t’u krijohet një ambient i lirë që ata lirshëm të shprehen - edhe te organizimi i tyre politik, edhe i partneritetit të tyre - se çka është për ta me interes, ta mbajnë këtë gjendje të tillë që aspak nuk premton jetë më të mirë, apo ta ndryshojnë qasjen dhe të hyjnë në partneritet me institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare”
, thotë Ferati.


Por, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, konsideron se nga situata aktuale në veri, siç thotë ai, as në këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të organizuara nga institucionet e Kosovës.

“Me ritmin se si po ecën kjo Qeveri dhe me ritmin se si po vepron për veriun e Kosovës, absolutisht për ketë vit as që mund të pritet të mbahen zgjedhjet, për arsye se ju po e shihni që, në vend se të ketë një përparim në integrimin e serbëve të veriut, ne kemi ndërhyrje të shtetit serb përmes veriut”.

“Po ashtu, në Kosovë hyjnë bandat, kriminelët dhe MUP-i i Serbisë dhe nuk ndalohen. Duke e shikuar këtë mënyrë të sjelljes së institucioneve të vendit, ne dyshojmë se mund të mbahen zgjedhjet. Kjo Qeveri nuk është e përgatitur të mbajë zgjedhje”
, shprehet Isufi

Megjithatë, ministri Ferati thekson se institucioni, të cilin e drejton, është duke punuar në mënyrë që të bëjë vetëdijesimin e qytetarëve të asaj ane për ndryshimin e gjendjes aktuale.

“Në momentin kur atje kemi progresin e nevojshëm, të krijojmë një besim se mund të organizojmë zgjedhje të suksesshme, në rend të parë, atje do të mund të instalohen institucione që me sukses do t’iu shërbejnë interesave të qytetarëve, ky është momenti kryesor”.

“Po kam bindjen se për këtë, nëse jemi të angazhuar të gjithë - edhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare, por edhe vetë qytetarët dhe liderët lokalë - nuk do të na duhen shumë muaj”
, thekson Ferati.

Ahmet Isufi

Ndërkaq, Ahmet Isufi nga AAK-ja, thotë se premtime për ndryshimin e gjendjes vazhdimisht jepen nga qeveritarët, por, gjendja në terren nuk po ndryshon.

“Nuk ka përparime sa i përket integrimit të serbëve të veriut. Ky është treguesi më i mirë se deri më tani nuk ka ndodhur asgjë në këtë drejtim. As nuk po implementohet strategjia e përfolur për veriun, dhe as nuk janë të gatshme t’i mbajnë zgjedhjet këtë vit”
, deklaron Isufi.


Serbia, më 30 maj, pati organizuar zgjedhjet lokale në veri të Mitrovicës, të cilat përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare i quajtën të paligjshme zgjedhjet paralele serbe.

Ministri Ferati shpreh mendimin se pas një kohe, raportet me qytetarët e veriut të Mitrovicës do të rregullohen. Ai tregon se edhe tash, me disa qytetarë dhe organizata kanë bashkëpunim të mirë.

“Kemi kontakte, por atje mungon siguria në rend të parë dhe njerëzit nuk dëshirojnë që të eksponohen, pra të jenë në publik në raport me ato kontakte që i kemi. Pra, kemi një kontakt, por nuk mund të them se është një partneritet i mirëfilltë”,
sqaron Ferati.

Derisa autoritetet kosovare kanë thënë se mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve në komunën e re të Parteshit do të ndikojë pozitivisht edhe për zgjedhjet në veri të Mitrovicës, politikanët serbë të veriut të Kosovës kanë thënë të kundërtën.
XS
SM
MD
LG