Ndërlidhjet

Madridi kremton, Amsterdami i heshtur


Mesfushor Andres Iniesta, i cili shënoi golin e fitores për Spanjën.
Mesfushor Andres Iniesta, i cili shënoi golin e fitores për Spanjën.

Më shumë se 300 mijë veta mbrëmë kanë festuar zhurmshëm rrugëve të Madridit titullin е kampionit botëror që e fitoi kombëtarja e Spanjës, pasi që mposhti Holandën në vazhdim të takimit me rezultat 1 me 0.

Ky është titulli i parë i kampionit botëror në futboll që e fitoi Spanja, ndërsa, dy vјеt më parë, kishte fituar edhe titullin e kampionit evropian.

Shtypi spanjoll fitoren e ka pritur gjithashtu me eufori. Të gjitha gazetat e Madridit kanë raportuar në faqet e para për fitoren historike dhe brezin e jashtëzakonshëm të futbollistëve spanjollë.

E përditshmja sportive “Marka” sjell këtë titull në faqen e parë: ”Ne jemi mbretërit e botës”, ndërsa gazeta “ABC” pohon se “11 korriku i vitit 2010 është pjesë e historisë”.

Ndërkohë, në Johanesburg, selektori i Spanjës, Del Boske, ka deklaruar se kjo kombëtare ka merituar titullin e më të mirit në botë.

“Ishte takim shumë i vështirë, por Spanja ka futbollistë që dinë t’i përgjigjen çdo sfide. Holandezët kishin disa raste, por rastet tona ishin më të pjekura”, ka thënë Del Boske pas takimit.

Tifozët spanjollë që ndoqën takimin në Johanesburg pas takimit ishin të entuziazmuar:
“Jemi shumë të lumtur për fitoren. Kombëtarja jonë lujati shkëlqyeshëm. Falënderojmë edhe Afrikën e Jugut për mbështetjen që i dha Spanjës”, thotë një tifoz spanjoll.

Selektori i Holandës, Bert Van Marvijk, pas takimit ka deklaruar se ekipi i tij nuk shfrytëzoi rastet e krijuara dhe rrjedhimisht pësoi disfatë.

“Në fillim të takimit ishim në presionin e rëndësisë së ndeshjes. Në pjesën e dytë, Arien Roben pati dy raste të shkëlqyeshme, ndërsa në vazhdim ne morëm kartonin e kuq dhe deri në fund luajtëm me 10 futbollistë”, ka deklaruar Van Marwijk.

Ai ka thënë se kishte disa vërejtje ndaj referit të takimit Hjuard Web, por ka shtuar se Spanja ka treguar se në këtë çast është kombëtarja më e mirë në botë.

Duhet thënë se tifozët e Holandës kanë shfaqur pakënaqësi me referimin e anglezit Web. Një prej tyre që ndoqi takimin në Johanesburg, pas takimit deklaroi:

“Referim shumë i dobët i Webit. Ai ishte tërësisht i korruptuar, ai ka marrë para”, thotë ky tifoz i Holandës.

Federata Botërore e Futbollit, FIFA, pas takimit ka shpallur futbollistin më të mirë të Kampionatit Botëror.

Këtë epitet sivjet e ka fituar sulmuesi i Uruguajit, Diego Forlan. (m.k.)

XS
SM
MD
LG