Ndërlidhjet

Ekspertët: GJND, pozitive për kosovarët


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin e saj lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare në Prishtinë presin që ai të jetë pozitiv për kosovarët.

Profesori Zejnullah Gruda thotë se GJND-ja duhet të deklarohet në bazë të dy parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe parimit të integritetit territorial. Rrjedhimisht, shton ai, opinioni do të jetë në favor të Kosovës.

“Lidhur me këto, duhet thënë se parimi i vetëvendosjes shkon qartë në favor të Kosovës, për shkak se tash parimi i vetëvendosjes trajtohet si rregull zakonor dhe konvencional i së drejtës ndërkombëtare, e përmban Karta e OKB-së, dy paktet për të drejtat e njeriut, akti final i Helsinkut”.

“Llogaritet si normë e së drejtes ndërkombëtare, asnjë normë tjetër nuk mund të jetë në kundërshtim me këtë parim. Parimi i vetëvendosjes llogaritet si parakusht për shfrytëzimin e të drejtave të tjera të njeriut”,
thotë Gruda.

Çfarëdo vendimi që nuk do të ishte në favor të Kosovës, sipas tij, do të ishte skandaloz.

“Mendimi nuk mund të jetë në dëm të Kosovës, ose t’ia mohojë të drejtën Kosovës për vetëvendosje. Do të ishte skandaloz çfarëdo vendimi që do të ishte kundër Kosovës. Për mua, kjo do të thoshte fundi i së drejtës ndërkombëtare”, shprehet Gruda.

Sipas tij, njerëzit nuk mund të jënë të lirë, kurse kombi i tyre i shtypur. Në bazë të parimit për vetëvendosje, Gruda thotë se pas Luftës së Dytë Botërore janë pavarësuar më shumë së 100 shtete në gjithë botën.

“Derisa parimi i vetëvendosjes shkon qartë në favor të Kosovës, parimi i respektimit të integritetit territorial nuk shkon në favor të Serbisë, sepse ndryshe nga ç'pretendon Serbia, ky parim i mbron shtetet nga sulmi i jashtëm, pra nga shtetet e treta”, shprehet Gruda.

Ndërsa, Iliriana Islami, eksperte e së drejtës ndërkombëtare, thotë se mendimi këshillëdhënës i GJND-së lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të jetë interpretim i balancuar.

“Gjykata Ndërkombëtare do t’i japë krejtësisht një kah të ri mënyrës se si duhet të krijohen shtetet e reja, apo do ta legjitimojë procesin e krijimit të shteteve deri më tani. Në anën tjetër, do t’i japë kah njohjes së shteteve, duke i legjitimuar në mënyrë juridike”.

“Deri më tani, të gjitha rastet, apo së paku këto që janë të ndjeshme në të drejtën ndërkombëtare, e kanë pasur këtë status neutral, duke thënë gjithmonë koncepte pak më abstrakte”,
thotë Islami.

Ajo konsideron se edhe në aspektin politik, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të japë një frymë të re brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Unë pres që tash e tutje të ketë një mundësi të një kompromisi më të madh, lidhur me atë se si do të zhvillohen gjërat tani e tutje - qoftë të një kombi, qoftë të shtet-formimit apo edhe njohjeve”, thotë Islami.

Kërkesa që GJND-ja ta trajtojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë ishte iniciuar nga Serbia, dy vjet më parë. Vitin e kaluar janë mbajtur seancat dëgjimore, në të cilat 14 shtete kanë mbrojtur argumentin e shpalljes së pavarësisë, ndërsa 12 kanë qenë kundër.

Lexoni edhe këtë:
Pas GJND-së, loja luhet në veri
XS
SM
MD
LG