Ndërlidhjet

Kapitull i ri për Kosovën



Dilemat që mund t’i kenë pasur vendet e ndryshme për të njohur Kosovën, sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, i hoqi mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë, duke thënë se shpallja e pavarësisë nuk shkeli asnjë dokument ndërkombëtar.

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, njëherësh kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë, se drejtësia ndërkombëtare ka vepruar drejt me rastin e Kosovës.

Enver Hasani

“E vlerësoj nga aspekti profesional, jam i prirë ta shoh anën profesionale, e cila mendoj se është perfekte dhe e lë të drejtën ndërkombëtare ashtu siç është. Serbia ka dështuar - nuk është që nuk e ka ditur rezultatin e fundit, por ka shpresuar për fitore para popullit”.

“Në rend të parë do të ketë ndikim shumë freskues në diskursin politik serb. Mendoj se me vetë faktin e këtij vendimi, ata i lajnë duart dhe mund t’i thonë popullit të vet se krejt bota dhe gjyqësia janë kundër logjikës së tyre dhe në një mënyrë ky është lehtësim për ta
”, tha Hasani.


Ngjarje e madhe për Kosovën, që u vuri kurorë përpjekjeve shumëvjeçare të popullit, që të ketë një shtet të vetin, u vlerësua nga analisti politik, Shkëlzen Maliqi, vendimi i 22 korrikut i organit më të lartë të drejtësisë i OKB-së.

“Kjo është një ngjarje e madhe e përpjekjeve shumëvjeçare e popullit të Kosovës që të ketë një pushtet të vetin dhe të avancojë në të gjitha aspektet jo vetëm politike dhe statusore, po tash hapet perspektiva e një zhvillimi më normal dhe më të shpejtë ekonomik dhe përgjithësisht shoqëror”,
deklaroi Maliqi.

Eksperti Hasani, duke lavdëruar urtësinë e gjykatësve të GJND-së, tha se tani Kosovës mund t’i vijnë njohje të reja. Ai konsideroi se tash e tutje për Kosovën gjithçka do të jetë më lehtë.

Pres që pjesa dërmuese e shteteve të fillojë me njohje. Çdo gjë për Kosovën do të jetë më lehtë, sepse në pikëpamje argumentuese do të ketë probleme të mëdha, edhe Serbia, edhe aleatët e saj për t’i mbrojtur pozicionet e vjetra”, vlerësoi Hasani.

Edhe analisti Maliqi thekson se mendimi pozitiv i GJND-së për Kosovën hap një perspektivë të re drejt integrimit të plotë në bashkësinë ndërkombëtare.
Kjo hap perspektivën që edhe Kosova të shkojë përpara, të sigurojë njohje të reja dhe, më në fund, Serbia të bindet se e ka të kotë angazhimin që ta kthejë historinë prapa.


“Kjo hap perspektivën që edhe Kosova të shkojë përpara, të sigurojë njohje të reja dhe, më në fund, Serbia të bindet se e ka të kotë angazhimin që ta kthejë historinë prapa”.

“Ajo duhet të bëhet realiste dhe të pajtohet tash edhe me vendimin e gjyqit ndërkombëtar se Kosova e pavarur është një realitet dhe duhet të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore të mira”,
theksoi Maliqi.

Mendimi këshillëdhënës i GJND-së, është pritur tash dy vjet, që kur Serbia incioi kërkesën në Asamblenë e Përgjithshme, në vitin 2008. Është thënë se procesi i hapur në këtë gjykatë po ngecte numrin e njohjeve.
XS
SM
MD
LG