Ndërlidhjet

BE e gatshme për dialogun


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Bashkimi Evropian i ka ofruar Prishtinës dhe Beogradit ndërmjetësimin e vet në dialogun e ardhshëm në mes dy palëve.

Ndonëse në BE thuhet se përdoret fjala “ndihmë në dialog”, burime diplomatike thonë se Bashkimi Evropian për një kohë të gjatë e ka studiuar këtë mundësi dhe u ka ofruar të dyja palëve që me ndihmën e BE-së, të arrijnë pajtim rreth shumë çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë së rajonit, përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë dhe përshpejtimin e proceseve të integrimeve evropiane, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.

Burimet diplomatike në BE pohojnë se një porosi të tillë do ta dërgojnë edhe ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët për Kosovën do të diskutojnë në takimin e tyre këtë të hënë.

Ndonëse sipas burimeve diplomatike të BE-së nuk pritet që ministrat të dalin me ndonjë konkluzë zyrtare nga ky takim, disa burime thonë se ka ide në mesin e disa shteteve që, megjithatë, BE-ja të dalë me një konkludim, se në rast të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të ketë negociata të reja për status, e as negociata për ndarje territoriale të Kosovës.

Por, sipas burimeve diplomatike, është vështirë në këtë moment që të arrihet konsensus rreth këtyre pikave.

Në anën tjetër, burimet e BE-së pohojnë se deklarata e djeshme e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, ka qenë deklaratë në emër të të gjitha 27 vendeve anëtare dhe se përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së të enjten janë takuar menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së dhe kanë rënë dakord që kjo deklaratë e baroneshës Eshton të jetë në emër të të gjithëve.

Pra, pohojnë këto burime diplomatike, BE-ja e ka bërë të qartë ofertën e saj për Prishtinën dhe Beogradin dhe tash presim që të dëgjojmë përgjigje nga të dyja palët.

Të njëjtat burime thonë se baronesha Ketrin Eshton të enjten menjëherë ka biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.

Sipas burimeve të BE-së, Eshton ka dashur t’u përcjellë atyre gatishmërinë e Bashkimit Evropian dhe ofertën për dialog dhe po ashtu ofertën që BE-ja të ketë rolin kryesor në ndihmën e këtij dialogu.

Në Bashkimin Evropian, theksojnë se sa i përket vetë çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, kjo vazhdon të mbetet një e drejtë e shteteve anëtare.

Mirëpo, janë duke u rritur zërat përbrenda BE-së që thonë se edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe janë anëtare të BE-së, duhet të lëvizin sa më shpejt në këtë drejtim, sepse në këtë mënyrë do të përforconin edhe më tej unitetin e Bashkimit Evropian rreth angazhimit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG