Ndërlidhjet

Shqetësime për sistemin bankar


Gjatë arrestimit të guvernatorit Hashim Rexhepi.
Gjatë arrestimit të guvernatorit Hashim Rexhepi.

Bordi Drejtues i Bankës Qendrore të Kosovës ka diskutuar sot mbi arrestimin e guvernatorit të kësaj banke, Hashim Rexhepi, por nuk është bërë i ditur ndonjë veprim i bordit që pason aksionin e EULEX-it në këtë institucion.

Ekspertët shfaqin drojën se mungesa e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës do të ndikojë në sigurinë e sistemit bankar dhe financiar.

Guvernatori Hashim Rexhepi, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, qe propozuar nga Qeveria e Kosovës dhe emëruar nga Kuvendi në këtë post.

Por, me Kushtetutën e re, tash guvernatorin e BQK-së e emëron dhe shkarkon presidenti. Edhe ky veprim pason propozimin e Kuvendit, qoftë për shkarkim apo emërim. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, shpjegon:

“Duhet të mblidhet Bordi Drejtues i Bankës Qendrore të Kosovës. Bordi Drejtues duhet të marrë një vendim, me të cilin e njofton Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës merr vendimin përkatës edhe njofton presidentin, pastaj presidenti e miraton ose e refuzon atë qëndrim. Presidenti do të veprojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi”.

Ligjvënësit kosovarë
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës thonë se institucionet e vendit duhet që në mënyrë të përshpejtuar të veprojnë në shkarkimin dhe emërimin e udhëheqësit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se institucionet nuk duhet të vonohen në këtë drejtim

“Duhet ta shkarkojnë edhe zyrtarisht guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk guxon të ketë dilema se çka po ndodh me këtë institucion. Mendoj se njerëzit që po i shpallin luftë korrupsionit, ata që po tregojnë vullnet për zero tolerancë kundër korrupsionit, duhet të tregojnë edhe guxim për ato çështje”, thotë Gjini.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, mendon se nuk duhet të ketë vakuum kohor në drejtimin e institucionit kryesor financiar.

“Nuk dua të paragjykoj, por drejtësia do ta japë mendimin e vet. Realisht, institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të veprojnë, në mënyrë që ky institucion të mos mbetet në vakuum kohor, sespe ne e dimë që vetë arrestimi i këtij personi - apo guvernatorit - është bërë me dyshimin për shkelje”, thotë Gaxherri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, nuk dëshiron të prejudikojë situatën në lidhje me arrestimin e guvernatorit të Bankës Qendrore.

“Ende është herët, është fazë e hershme... Organet e shtetit besoj se do të veprojnë konform autorizimeve të tyre”, thotë ai.

Por, ekspertët e ekonomisë alarmojnë se mungesa e guverantorit të BQK-së ndikon negativisht në sistemin bankar. Xhemshit Duriqi thotë se autoritetet kompetente duhet të marrin masa urgjente në mënyrë që të ruhet stabiliteti bankar, e konkretisht ai i klientëve.

“Duhet të merren masa, të cilat i amortizojnë aq sa është e mundur këto efekte që mund t’i ketë. Duhet të jepen sqarime dhe garanci që janë të sigurt - edhe sistemi bankar, klientët. Madje, duhet të jenë transparentë për çka është,” thotë Duriqi.

Guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi, i arrestuar të premten e kaluar, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. EULEX-i ka paralajmëruar dhe arrestime të tjera lidhur me keqpërdorimet në Bankën Qendrore.
XS
SM
MD
LG