Ndërlidhjet

SHBA mbetet e ndarë pas nxjerrjes së sekreteve


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, i zgjodhi fjalët me shumë kujdes kur iu desh t’i përgjigjej pyetjes rreth reagimit të presidentit Obama lidhur me publikimin në internet të dokumentеve sekrete ushtarake.

Gibs e cilësoi “nxjerrjen pa leje të dokumentеve sekrete në kundërshtim me ligjin”. Ai shtoi se “është alarmuese të shohësh se dokumentе të tilla janë publikuar në internet”.

Dokumentеt sekrete nga lufta në Afganistan, të nxjerra nga faqja e internetit WikiLeaks, më 25 korrik, përmbajnë mes tjerash informacione për vdekjet e paraportuara të civilëve afganë si dhe për bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete pakistaneze dhe talibanëve.

Derisa Gibs nuk tha asgjë më tepër lidhur me reagimin e Obamës, publiku nisi të fokusoheј jo pak në këtë rrjedhë dramatike informacioni.

Ndonëse ka pasur dyshime rreth suksesit në luftën në Afganistan, informacionet e nxjerra vetëm sa e kanë rritur zhgënjimin e publikut. Nuk kanë munguar as ata që i kanë qesëndisur dokumentеt e nxjerra, duke thënë se nuk sjellin asgjë të re.

Këtë mendim e ndante dhe Gibs.

“Nuk mendoj se, në njëfarë mënyre, ajo çfarë raportohet në këto dokumentе, nuk është diskutuar më parë publikisht nga mediat apo еdhe nga përfaqësuesit e Qeverisë amerikane”, theksoi Gibs.

Por, një pjesë e publikut ka theksuar se dokumentet e publikuara kanë vërtetuar dyshimet e tyre rreth përfshirjes amerikane në luftë.

Një anketë e Galluput, bërë publike më 13 korrik, thekson se 60% e amerikanëve besojnë se punët nuk po shkojnë mirë për Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Xhulian Asange, themelues i faqes Wikileaks
Edhe gazetat kryesore amerikane si “New Tork Times”, “Washington Post” apo “Los Angelos Times”, në reagimet e tyre theksojnë se dokumentet e bëra publike japin një gjendje të zymtë të situatës në Afganistan.

Nuk kanë munguar as zërat që e dënojnë WikiLeaks, publikuesin e dokumenteve. Madje, ka pasur nga ata që e kanë cilësuar tradhëtar Xhulain Asangen. themeluesin e WikiLeaks.

David Streko, ish-pjesëtar i ushtrisë amerikane, nuk pret që nxjerrja e dokumenteve sekrete të krijojë ndonjë pajtim mbarëkombëtar për luftën në Afganistan.

“Mendoj se njerëzit që kundërshtonin luftën, tashmë kanë më shumë armatim kundër saj. Ata që janë për luftën, apo që nuk duan të kritikohet Amerika, thjesht do ta hedhin poshtë ose do ta injorojnë. Nuk besoj se do të ndërrojë situata si pasojë e dokumenteve në fjalë”, thotë Streko për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Streko pranon se ata që e kanë vënë në pikëpyetje ndërhyrjen në Afganistan, do të jenë shumicë.

Në Kongres i pari që ka reaguar ka qenë kreu i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senat, Xhon Kerri. Reagimi i Kerrit ishte një sfidë direkte ndaj administratës.

Përmes një deklarate, Kerri theksoi se, pavarësisht sa i paligjshëm është publikimi i dokumenteve, ai ngre pyetje serioze lidhur me politikat amerikane në Afganistan dhe në Pakistan.

Shumë lexues presin nxjerrjen e dokumenteve të tjera që WikiLeaks ka thënë se i zotëron. Nxjerrja e mbi 90 mijë dokumenteve është rrjedha më e madhe e informacioneve sekrete në historinë amerikane.

Shumë komentatorë, jo pa ironi kanë theksuar se kjo rrjedhje ishte më e madhe se ajo e naftës në Gjirin e Meksikës, që po vazhdon prej tre muajsh. (i.b.)
XS
SM
MD
LG