Ndërlidhjet

Në hulumtimin e varreve masive, kosovarët si vëzhgues


Rashkë
Rashkë
Përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur thonë se kanë shtuar angazhimin e tyre në hulumtimin e varrezave masive, të cilat dyshohen se gjenden brenda dhe jashtë Kosovës.

Ata thonë se ende nuk kanë ndonjë rezultat për hulumtimet që po bëhen në varrezat e dyshuara në Rudincë dhe në Medvegjë, ku pala kosovare, sipas kryetarit të Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, po merr pjesë vetëm si vëzhguese.

“Akti i fundit i hulumtimit gjurmues në Rudnicë ka qenë i njëanshëm, pasi që Gjykata për Krime Lufte, me asistencën e Komisionit për Persona të Pagjetur në Beograd, kanë zhvilluar aktivitete hulumtuese, ndërsa ne kemi asistuar vetëm si vëzhgues. Kjo ka pamundësuar marrjen e ekspertëve tanë”, thotë ai.

As për rastin e Rashkës nuk ka ndonjë informacion më të hollësishëm. Lajmi për ekzistimin e një varreze masive në Rashkë ishte bërë i ditur në fillim të muajit maj nga Prokuroria e Serbisë për krime lufte, zyrtarë të së cilës kishin shprehur bindjen se në varrezë gjenden rreth 250 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në atë kohë kishte inkurajuar autoritetet serbe që të vazhdojnë punën në, siç thuhej, zbardhjen e së vërtetës lidhur me Rashkën.

Ndërsa, sa u përket dyshimeve për një varrezë masive në Andrijevicë të Malit të Zi, kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, thotë se as për këtë, nuk ka ndonjë informatë zyrtare.

Sot përfundojnë ato punime, por ende nuk kemi ndonjë informatë se ka gjetje të ndonjë varreze të dyshuar. Janë bërë disa hulumtime dhe besoj që së shpejti do të informohemi nëse ka gjetje apo jo”, shprehet Gjetaj.

Familjarët e personave të pagjetur presin nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare më shumë angazhime për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre.

Ata shprehen të pakënaqur me punën e deritanishme të institucioneve. Bajram Qerkini, nga Këshilli Koordinues i Asociacioit të Familjarëve të të Zhdukurve, shprehet:

Familjarët kanë shumë vërejtje në punën e deritashme, për shkak se ata (vendorët) nuk e kanë bërë trysninë e duhur te ndërkombëtarët, që Serbia të kushtëzohet dhe ta na tregojë se ku gjenden familjarët tanë”, shprehet Qerkini.

Sipas të dhënave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, aktualisht në Kosovë figurojnë 1860 persona të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë.
XS
SM
MD
LG