Ndërlidhjet

Gejts: Zbulimi i dokumenteve rrezikon trupat dhe aleatët


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, dhe Shefi i shtatmadhërisë së ushtrisë amerikane, Majk Mullen, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, dhe Shefi i shtatmadhërisë së ushtrisë amerikane, Majk Mullen, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Sekretari amerikan i Мbrojtјes, Robert Gejts, tha se zbulimi i dokumenteve sekrete për luftën në Afganistan mund të ketë pasoja të rënda dhe të rrezikshme për trupat e Shteteve të Bashkuara.

“Konskekuencat e publikimit të këtyre dokumenteve janë potencialisht të rënda dhe të rrezikshme për trupat tona, për aleatët tanë, për partnerët afganë dhe mund të dëmtojnë shumë marrëdhëniet dhe reputacionin tonë në këtë pjesë të botës”, tha Robert Gejts, në konferencën për gazetarë në Pentagon.

Zoti Gejts theksoi se faqja WikiLeaks, që i ka publikuar raportet, në mënyrë efektive iu ka dhënë armiqve të Shteteve të Bashkuara informata për taktikën dhe teknikën e ushtrisë amerikane.

Ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara po lëvizin me të shpejtë për parandalimin e zbulimit tjetër të procedurave, që vlejnë për dokumentet sekrete në luftë.

Incidenti e ka komplikuar nevojën e dhënies së informatave kritike në vijat e para të frontit, që u duhen ushtarëve.

Sekretari amerikan i Мbrojtjes tha se Uashingtoni ka “përgjegjësi morale” për ta mbrojtur secilin, që ndoshta mund të jetë në rrezik për shkak të informacioneve të zbuluara në raporte.

“Ne kemi përgjegjësi morale të bëjmë çdo gjë të mundshme për lehtësimin e konsekuencave për trupat tona dhe partnerët tanë, е veçanërisht për ata që kanë punuar me ne dhe që na kanë besuar në të kaluarën, e të cilët tash mund të jenë në shënjestër të sulmeve”, tha Robert Gejts.

E përditshmja Nju Jork Tajms, që është njëra nga gazetat që i ka publikuar materialet sekrete, ka raportuar se gjatë shqyrtimit të dokumenteve, që i kishte marrë nga WikiLeaks, ishin paraqitur “emrat dhe të dhëna të tjera identifikuese për disa informatorë afganë dhe të tjerët, që po bashkëpunonin me trupat amerikane dhe të NATO-s”.

Sikur edhe dy gazetat e tjera që kishin marrë informacione nga WikiLeaks, Gardiani britanik dhe Der Shpigeli gjerman, Nju Jork Tajms nuk i kishte publikuar emrat ose informacionet identifikuese për njerëzit, që mund të dëmtoheshin nga raportet.

Pentagoni tha se ka filluar një hetim “agresiv” për personin ose personat, që me informacione sekrete e kanë furnizuar faqen WikiLeaks.

Po ashtu i është bërë thirrje agjencisë FBI që të ndihmojë në hetimet penale.

Shefi i shtatmadhërisë së ushtrisë amerikane, Majk Mullen, që së bashku me sekretarin Gejts mori pjesë në konferencën për gazetarë në Pentagon, vlerësoi se zbulimi i dokumenteve ishte i pamatur.

“Jam i neveritur nga kjo sjellje dhe sinqerisht i tmerruar që dikush me mendjen e tij mund të mendojë se është e vlefshme të publikojë bile një raport të ndjeshëm, e lëre më dhjetëra-mijëra dokumente për luftën, e cila po zhvillohet”, tha Mullen.

Themeluesi i faqes WikiLeaks, Xhulian Asangj, e ka mbrojtur publikimin e dokumenteve, duke thënë se kjo do të ndihmojë në nxitjen e debatit lidhur me luftën.

Ai ka thënë se organizata e tij e merr “shumë seriozisht” mundësinë që afganët mund të vriten, si pasojë e zbulimit të dokumenteve.

Admirali Majk Mullen tha se shqetësimi i tij nuk është i sinqertë.

“Zoti Asangj mund të thotë çka të dojë për të mirën e madhe, që ai dhe burimi i tij mendojnë se po e bëjnë, por e vërteta është se ata tashmë mund t’i kenë duart me gjak të ndonjë ushtari të ri ose të ndonjë familjeje afgane”, tha Majk Mullen. (f.b.)
XS
SM
MD
LG