Ndërlidhjet

Për serbët, asgjë jashtë Planit të Ahtisarit


Veriu i Mitrovicës
Veriu i Mitrovicës

Serbët e Kosovës nuk duhet të kërkojnë asgjë më shumë sesa lejon dokumenti i Ahhtisarit, mbi të cilin është ndërtuar Kushtetuta e Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ata thonë se tejkalimi i këtij dokumenti rrezikon me ndarje të brendshme të Kosovës. Por, politikanët serbë e kundërshtojnë një gjë të tillë, duke thënë se serbët nuk e kanë pranuar Planin e Ahtisarit.


Çfarëdo kërkese e komunitetit serb në Kosovë për rregullimin e të drejtave të tyre, nuk mund të tejkalojë dokumentin e Ahtisarit, sepse në të kundërtën Kosova rrezikon ndarje të brendshme, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Lutfi Haziri, ish-anëtar i grupit negociator të Kosovës në bisedimet në Vjenë dhe aktualisht Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se dokumenti i Ahtisarit, i cili, siç shprehet ai, është përkthyer në obligime kushtetuese për Republikën e Kosovës, rregullon të drejtat etnike, e në veçanti për komunitetin serb.
Lutfi Haziri

“Plani i Ahtisarit është i tërhequr në vijat e kuqe të delegacionit të unitetit, i cili në atë kohë është udhëhequr nga presidenti Sejdiu. Çdo lëvizje jashtë këtij plani, Kosovën e çon në ndarje të brendshme territoriale, e cila është e rrezikshme, jofunksionale dhe e defekton seriozisht funksionalitetin e shtetit”.

“Kjo krijon struktura dhe institucione paralele të brendshme dhe ia pamundëson Prishtinës, si qendër politike të vendosjes, që ta shtrijë autoritetin në territorin e saj, të garantuar tash edhe me Kushtetutë. Ndarja e brendshme, absolutisht është më e rrezikshme se ndarja e Kosovës dhe sesa cilido propozim tjetër i marrë që po vjen prej Beogradit”,
thotë Haziri.


Ministri Haziri shton se të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, janë të rregulluara jo vetëm në nivel lokal, por edhe si të drejta të veçanta në segmentin e shëndetësisë dytësore, në çështjen e emërimit të shefave të stacioneve të policisë, në çështjen e arsimit universitar, si dhe në të ashtuquajturën autonomi kulturore.

Mendim të ngjashëm ka edhe Ahmet Isufi, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Isufi thekson se dokumenti i Ahtisarit dhe rrjedhimisht edhe Kushtetuta e Kosovës, siguron të drejtat e komunitetit serb më tepër sesa që ka cilado pakicë në vendet në rajon dhe më gjerë.

Ahmet Isufi

Hapja e Pakos së Ahtisarit ose ofrimi i kushteve tjera në mënyrë speciale, e prish balancën në Kosovë, por ndikon edhe në rajon. Prandaj, Pakoja e Ahtisarit, me gjithë ato pengesa që ka mundur t’i ketë deri në rastin e realizimit, është ajo që ka mundur t’u japë minoriteteve, më shumë sesa që në fakt ka shumica në Kosovë”.

“Konsiderojmë se të drejtat e minoritetit serb janë të plotësuara në Kosovë dhe absolutisht nuk do të duhej ndryshuar gjendja, për shkak se do të kishte pengesa për të ardhmen”
, vlerëson Ahmeti.


Por, kështu nuk mendojnë politikanët serbë të Kosovës. Ata thonë se dokumenti i Ahtisarit është i papranueshëm për serbët e Kosovës dhe për Beogradin zyrtar.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë se serbët e kësaj pjese Kosovës nuk duhet të kërkojnë asgjë nga institucionet e Kosovës.
...kurrfarë bisedimesh për realizimin e të drejtave ose privilegjeve, serbët nuk duhet të kërkojnë nga Prishtina, sepse në betejën e gjatë politike ne duhet të mbesim qytetarë lojal të Serbisë...


“Plani i Ahtisarit, ashtu siç është, nuk është pranuar nga ana e shtetit të Serbisë dhe aq më pak nga serbët që jetojnë në këto hapësira. Thjesht, ky plan, nuk guxon të jetë temë e debatit për ne. Unë mendoj se kurrfarë bisedimesh për realizimin e të drejtave ose privilegjeve, serbët nuk duhet të kërkojnë nga Prishtina, sepse në betejën e gjatë politike ne duhet të mbesim qytetarë lojal të Serbisë”,
shprehet Jakshiq.


Mendim të ngjashëm shpreh edhe Dragan Veliq, politikan serb i Kosovës qendrore. Ai thotë se është e tepërt të bisedohet lidhur me të drejtat që siguron dokumenti Ahtisarit, kur kihet parasysh që serbët nuk e kanë pranuar atë.

“Për ne, çështja esenciale dhe më e rëndësishmja është ajo e statusit. Kjo çështje do t'i rregullojë edhe çështjet tjera. Sot po flitet për çështje teknike. Unë nuk di se cila çështje teknike do të mund të zgjidhej e të mos prekej çështja e statusit?!”.
nuk di se cila çështje teknike do të mund të zgjidhej e të mos prekej çështja e statusit?!


“Këtu ndoshta edhe ekzistojnë disa çështje me më pak rëndësi, të cilat janë teknike, si zgjidhje të përkohshme që nuk do ta preknin statusin. Por, kjo nënkupton zgjidhje të disa çështjeve, të cilat nuk do të ishin zgjidhje afatgjate dhe stabile. Ne, këtë gjendje e kemi tash e 10 vjet dhe thjesht, rreth kësaj çështjeje nuk do të duhej të harxhohej kohë”,
përfundon Veliq.
XS
SM
MD
LG