Ndërlidhjet

Farrou: Kempbell më ka treguar për dhuratën


Mia Farrou në Tribunalin e Hagës.
Mia Farrou në Tribunalin e Hagës.
Aktorja e njohur, Mia Farrou, dëshmoi sot në Tribunalin e Hagës, në gjykimin e ish-presidentit të Liberisë, Çarls Tejlor. Ky i fundit akuzohet për krime në luftën civile në Siera Leone.

Tribunali i Hagës ka ftuar Farroun dhe Kerol Uajt, ish-agjenten e modeles britanike, Naomi Kempbell, që të dëshmojnë për dhuratën e diamanteve të papërpunuara, që pretendohet se Tejlor i ka dhënë Kempbellit, në një darkë në shtëpinë e Nelson Mandelas, në vitin 1997.

Farrou tha para Gjykatës në Hagë se vetë Kempbell i kishte pohuar se kishte marrë një “diamant tejet të madh” nga Tejlor.

“Më ka treguar se një natë, disa njerëz kishin trokitur në derën e saj dhe e kishin zgjuar nga gjumi. I kishte dërguar Çarls Tejlor për t’i dhënë diamantin”, tha Farrou.

Supermodelja britanike, Naomi Campbell, dëshmoi javën e kaluar. Ajo tha se asaj i janë dhënë disa “gurë të papastruar” nga ish-presidenti i Liberisë, Çarls Tejlor, gjatë një darke të organizuar nga vetë ai.

Dëshmitë e Kempbellit dhe Farrout mund të sjellin prova që ish-diktatori i Liberisë ka shitur “diamante të përgjakura” dhe me të hollat ka financuar kryengritësit në Siera Leone, në kohën kur janë vrarë gjysmë milioni njerëz.

Çarls Tejlor, i cili aktualisht gjendet në burgun e Hagës, ka qenë president i Liberisë nga 1996-ta deri më 2003-ën, kur edhe është akuzuar nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Siera Leonen.


XS
SM
MD
LG