Ndërlidhjet

Freizer: Ka fleksibilitet për shkëmbim territorial


Sabine Freizer
Sabine Freizer

“Ka më shumë fleksibilitet në Kosovë dhe Serbi sesa qw ka dëgjuar dikush në të kaluarën”, thotë Sabine Freizer nga GNK.


RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin e fundit, argumenton se një nga rezultatet e bisedimeve të mundshme midis Prishtinës dhe Beogradit mund të jetë këmbimi i veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës. A nuk mendoni se është një propozim befasues nga Grupi Ndërkombëtar?

SABINE FREIZER
Ky është një raport, në të cilin kemi filluar të punojmë që në pranverë, kur mendonim se edhe në Serbi, edhe në Kosovë, ka një formë gatishmërie për t’u ulur dhe biseduar për çështje thelbësore, të cilat i ndajnë të dyja palët.

Kemi zbuluar se ka ende gjasë për Kosovën dhe Serbinë, të ulen rreth tavolinës dhe të bisedojnë mbi këto çështje, për të arritur deri te një pozicion, nga i cili Serbia do të mund ta njohë deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Natyrisht, ka shumë dimensione se si do të arrinim deri në këtë pikë. Ne do të preferonim të ekzistojë një situatë, në të cilën Serbia do të mund ta pranonte këtë, nëse Kosova i ofron një autonomi më të gjerë veriut të saj.

Por, nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë mendojmë se palët duhet të vazhdojnë të bisedojnë dhe në fund, nëse pajtohen se shkëmbimi territorial është i nevojshëm, atëherë mendojmë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të ndërhyjë për t’i ndalur Serbinë dhe Kosovën nga pajtueshmëria mbi këtë zgjidhje të ndërsjellë.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni fakte në terren ose informacione, qoftë nga Kosova apo Serbia, se këmbimi territorial mund të jetë zgjidhje e pranueshme?

SABINE FREIZER

Grupi Ndërkombëtar i Krizave funksionon nëpërmjet ekipeve të analistëve në Ballkan, ata punojnë në Serbi, Kosovë, e më gjerësisht në Bosnjë. Për këtë - raportin e fundit, ata shkuan edhe më tej dhe bënë hulumtime të zgjeruara edhe në Maqedoni dhe Shqipëri, për të dëgjuar pikëpamjet e elitave politike në këto vende mbi mënyrën më të mirë për të zgjidhur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë.

E gjithë kjo ka zgjatur disa muaj, rreth 6 muaj, të intervistave të hollësishme me zyrtarë të të gjitha këtyre vendeve dhe bazuar në këto intervista, kemi arritur në konkludimin se ka më shumë fleksibilitet në Kosovë dhe Serbi sesa që ka dëgjuar dikush në të kaluarën dhe mund të ketë një ambient, në të cilin të dyja palët do të mund të pajtoheshin.

Nuk mund të them se të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë në Kosovë dhe Serbi kanë thënë haptazi se do të jenë të gatshëm ta marrin në shqyrtim shkëmbimin territorial, apo edhe se Serbia do të jetë e gatshme ta njohë Kosovën, por në nivele të ndryshme të qeverive kemi parë shenja të caktuara se do të ishin të gatshëm ta marrin këtë rrugë.

RADIO EVROPA E LIRË
Burimet që i keni, të cilat kanë dhënë shenja fleksibiliteti, sa janë të afërta me elitat në pushtet, në Prishtinë dhe Beograd?

SABINE FREIZER
Mund të them se burimet tona janë shumë të afërta me elitat në pushtet, në Kosovë dhe në Serbi. Sërish, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se kemi premtime të qarta se presidentët apo kryeministrat e këtyre dy vendeve do ta bënin këtë që nesër.

Por, megjithatë, jemi të bindur se zyrtarë të nivelit të lartë të të dyja vendeve janë duke e menduar një gjë të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qëndrimi zyrtar i Uashingtonit dhe Brukselit, është se ndarja e Kosovës nuk vjen në konsiderim, duke argumentuar se një skenar i këtillë do të nxiste një domino efekt shkatërrimtar në Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë. Si i shihni ju këto ndikime të mundshme negative në rajon?

SABINE FREIZER

Natyrisht, në të kaluarën, ne kemi qenë shumë të shqetësuar për ndikimet që mund të ketë shkëmbimi territorial në Maqedoni dhe Bosnjë. Por, ajo që kemi zbuluar në kërkimet tona të fundit, është fakti se problemet në Maqedoni dhe Bosnjë janë më shumë probleme të brendshme vendore.

Kur flasim për Maqedoninë, gjatë bisedave që kemi bërë atje, posaçërisht me liderët shqiptarë, kemi arritur në përfundimin se nuk ka ndërlidhje të drejtpërdrejtë midis asaj që ndodh në Maqedoni dhe zhvillimeve në Kosovë.

Bosnja natyrisht përballet me një sërë problemesh. Por, atje në fakt kemi parë shenja mjaft pozitive nga vetë zoti Dodik, i cili pas mendimit të GJND-së, ka thënë se nuk do të dëshironte ta shohë Republikën Serbe të Bosnjës në një situatë të ngjashme me atë të Qipros Veriore të banuar me turq dhe se beson se duhet të bëjë përpjekje të sigurojë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. (a.v.)
XS
SM
MD
LG