Ndërlidhjet

Plani Ahtisari - zgjidhja e vetme


Ura mbi lumin Ibër, Mitrovicë
Ura mbi lumin Ibër, Mitrovicë

Idetë për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës që dalin jashtë Pakos së Ahtisarit nuk do të duhej të pranoheshin nga Prishtina zyrtare, thanë përfaqësues të opozitës në Kosovë dhe analistët politikë të vendit. Sipas Zyrës Civile Ndërkombëtare, Plani Ahtisari tashmë ofron masa të gjera për vetëqeverisjen lokale të Mitrovicës së Veriut.


Opozita kosovare dhe analistë për çështje politike, i cilësuan të papranueshme për Kosovën idetë që, në shkëmbim të njohjes si shtet nga ana e Serbisë, me Beogradin të negociohet për një autonomi më të zgjeruar për veriun, apo shkëmbimin e veriut me një pjesë të Luginës së Preshevës.

Një ide e tillë u propozua ditë më parë në raportin e fundit për Kosovën të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, tha se rekomandimet e ICG-së kanë qenë befasuese, sidomos kur bëhet fjalë për zgjidhjet eventuale që ofrohen për çështjen e veriut të Kosovës.
Blerim Shala

Shala theksoi nevojën që problemi i veriut të zgjidhet në kuadër të mundësive që ofron Plani i Ahtisarit.


“Aty flitet për statusin e veriut të Kosovës. Ne e kemi thënë gjithmonë që veriu i Kosovës nuk mund të trajtohet si temë e statusit, si temë territoriale, por që duhet të trajtohet në kuadër të pakos së presidentit Ahtisari, në kuadër të rendit dhe ligjit në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”
, theksoi Shala.


Analisti Behlul Beqaj, tha se jetësimi i planeve që flasin për shkëmbimin e territoreve me Serbinë ose ndarjen e veriut nga territori i Kosovës, do të kishte pasoja në tërë Ballkanin.

Behlul Beqaj

“Mjerisht, shkëmbimi ose ndarja janë skenarë që shkaktojnë efekte rrjedhëse karshi gjendjes në regjion që do të ishte shumë fatale për stabilitetin e kësaj pjese të Evropës”
, tha Beqaj, duke theksuar se status quo-ja në veri duhet të zgjidhet duke e ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës.

Rëndësia për të mos i ndryshuar kufijtë aktual të Kosovës, ishte theksuar edhe në mbledhjen e fundit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën- mekanizëm ky që mbikëqyrë punën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Në ICO thonë se Plani i Ahtisarit tashmë ofron disa kompetenca të zgjeruara komunave me shumicë serbe karshi kompetencave, të cilat i kanë komunat e tjera në vend.

Përmes një deklarate me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i ICO-s Endi Mekgafi, tha se Plani i Ahtisarit tashmë përcakton masa të gjera për vetëqeverisjen lokale të Mitrovicës së Veriut.

Endi Mekgafi

“Karshi kompetencave ‘vetanake’ dhe të deleguara që iu janë garantuar të gjitha komunave në Kosovë, komunat me shumicë serbe kanë kompetenca të zgjeruara, si për shembull, në shërbimet dytësore në shëndetësi dhe arsim, duke përfshirë një edukim më të lartë”.

“Propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës parashikon një rol konstruktiv të Republikës së Serbisë në fusha specifike si një financim transparent për arsimin e shëndetësinë, mbështetje për arsimin në gjuhën serbe dhe bashkëpunim të përgjithshëm”
, tha Mekgafi.


Modelet për gjetjen e zgjidhjes për veriun e Kosovës, sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, do të duhej të diskutoheshin gjatë bisedimeve të ardhshme ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Shala, megjithatë, tha se Prishtina zyrtare duhet të këmbëngulë që bisedimet të zhvillohen për temat e cekura në letrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton.

Raporti i ICG-së, sipas përfaqësuesit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkrah draft-rezolutën, të cilën Serbia e ka deponuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se sa udhëzimet e Eshtonit që parashohin zhvillimin e bisedimeve në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe synimit për anëtarësim në BE.

“Dy qasjet janë diametralisht të kundërta. Ne përkrahim fuqimisht qasjen e zonjës Eshton, e cila nënkupton që Kosova e Serbia të bisedojnë për vendosjen e fqinjësisë së mirë dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës e të Serbisë në Bashkimin Evropian”
, u shpreh Shala.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas ICG-së, do të duhej të nisnin sa më parë për të përfunduar në fillim të verës së 2011-ës.
XS
SM
MD
LG