Ndërlidhjet

Serbia pyet BE-në për rezolutën rreth Kosovës


BE
BE

Shumë shpejt një delegacion nga Beogradi do të diskutojë në Bruksel për rezolutën e paraqitur nga Serbia në Asamblenë e Përgjithshme. Mundësia e ndryshimeve ekziston, la të kuptohet Boris Tadiq.

Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, tha se delegacioni i Qeverisë do të udhëtojë për në Bruksel dhe do të bisedojë me përfaqësuesit e BE-së lidhur me propozim rezolutën për Kosovën, e cila është paraqitur për t’u diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Tadiq tha se vërejtjet lidhur me dokumentin e paraqitur nga Serbia nuk kanë ardhur nga institucionet e BE-së, por nga ministritë e jashtme të vendeve të caktuara anëtare.

“Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Kjo është linja e kuqe, përtej së cilës nuk do të kalojmë”, saktësoi Tadiq në deklaratën për gazetarë në Uzhicë, duke shtuar se për këtë i ka njoftuar udhëheqësit e vendeve perëndimore.

“Këtë ia kam përcjellë edheVesterveles, Klintonit, Sarkozisë dhe Merkelit. Këtë ua them të gjithëve”, nënvizoi kryetari i Serbisë.

Tadiq, potencoi se asnjë politikan i huaj kurrë nuk ka thënë se njohja e Kosovës është kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, Tadiq hodhi poshtë vërejtjet se Serbia, para paraqitjes së rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, nuk është konsultuar me askënd.

“Kjo është bindje e gabuar. Ne kemi biseduar për rezolutën para se ta dërgonim në Asamblenë e Përgjithshme. Nga Bashkimi Evropian nuk kemi marrë kurrfarë vërejtje, por kemi marrë nga ministritë për punë të jashtme të disa vendeve”, tha Tadiq.

Sipas tij, vërejtje lidhur me dokumentin kanë pasur dhe vendet e Kuintit, i cili përbëhet nga shtetet më të rëndësishme të BE-së si dhe SHBA-të.

Rusia, Brazili, Kina, India dhe pesë vende të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, nuk kanë pasur vërejtje lidhur me rezolutën serbe.

Tadiqi theksoi se qëndrimi i shteteve të Kuintit nuk mund të injorohet, por Serbia nuk do të heqë dorë as nga Kosova e as nga Bashkimi Evropian.

“Konsiderojmë që rezoluta jonë është mjaft me kompromis. Gjithashtu, konsiderojmë se askush nuk mund të jetë kundër bisedimeve”,
theksoi Tadiq dhe vlerësoi se bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë rast për zgjidhjen e konfliktit historik në mes të popullit shqiptar dhe popullit serb.

Sipas tij, Serbia do ta vazhdojë luftën për Kosovën, ndonëse pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i janë shterur mjetet juridike.

“Luftën për Kosovën do ta vazhdojmë përmes rrugëve diplomatike dhe paqësore”, përfundoi Tadiq.(i.b.)
XS
SM
MD
LG