Ndërlidhjet

Absorbimi i papunësisë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Tregu i punës në Kosovë thuhet se i absorbon nga 2 deri në 3 mijë punëtorë në vit, derisa gjatë një periudhe të njëvjeçare dalin rreth 25 mijë të papunë.

Ekspertët e çështjeve ekonomike në Kosovë vlerësojnë se me trendët aktual të rritjes ekonomike, që sipas të dhënave zyrtare janë 5 për qind, Kosova edhe për një periudhë afatmesme do të ketë probleme të mëdha me akomodimin e numrit të madh të të rinjve, të cilët futen në tregun e punës.

Eksperti i çështjeve ekonomike nga Instituti “Riinvest”, Alban Hashani, thotë se politikat aktuale ekonomike në Kosovë nuk janë në favor të përmirësimit të kësaj gjendje.
Për t’u përgjysmuar papunësia duhet të kemi rritje ekonomike dyshifrore për 10 vjetët e ardhshëm...


Me rritjen aktuale vetëm është duke u përkeqësuar gjendja dhe nuk është duke u përmirësuar asgjë. Për t’u përgjysmuar papunësia duhet të kemi rritje ekonomike dyshifrore për 10 vjetët e ardhshëm, që do të thotë se nëse ne mbesim me këto ritme të rritjes, do të kemi problem që në një periudhë afatgjatë t’i zvogëlojmë këta faktorë të pafavorshëm, siç është tregu i punës”, thotë Hashani.

Ekspertët thonë se trendi i fundit ekonomik në Kosovë, siç ishte rënia e interesimit për hapjen e bizneseve, do të ketë ndikuar edhe më shumë në numrin e të papunëve.

Ata mendojnë se për këtë duhet fajësuar Qeveria e Kosovës, e cila ende nuk ka arritur të krijojë një ambient të volitshëm për biznes.

Ndërkaq, eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se shifrat aktuale të papunësisë tregojnë se Kosova nuk ka kapacitet ta absorbojë këtë numër të të papunëve.

Profesor Limani kritikon autoritet kosovare për mosshfrytëzimin e fuqisë punëtore si faktorin më të rëndësishëm ekonomik.

Musa Limani

“Gjatë vitit nuk mundet as 1/5 të punësohet nga ky kontingjent i punës, i cili del çdo vit. Prandaj diku 20 – 25 mijë veta të aftë për punë që kanë nevojë për punë, të cilët mund të krijojnë të ardhura, ata janë të papunë dhe ne nuk e shfrytëzojmë faktorin më të rëndësishëm ekonomik
”, vlerëson Limani.

Mungesa e madhe e vendeve të punës në Kosovë zakonisht është arsyetuar për shkak të një ekonomie të brishtë të trashëguar pas luftës si dhe për mungesë të një strategjie institucionale për të dalë kjo gjendje.


Por, pavarësisht të gjitha këtyre, Alban Hashani nga Instituti “Riinvest”, shpreh mendimin se pas 11 vjetësh të pas luftës kjo gjendje është dashur të përmirësohet deri më tani.

“Shpëtimi është në përqendrimin ose në mbështetjen e sektorit privat. Kjo është e vetmja rritje e qëndrueshme, rritja ekonomike e financuar nga shpenzimet publike, e cila ka sjellë një rritje ekonomike prej 5 për qind është e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme. Qeveria duhet t’i përmirësojë ato barriera, të cilat po paraqiten në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”,
shprehet Hashani.

Ndryshe, shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave statistikore që posedon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, vlerësohet të jetë prej 39-43 për qind.

Ndërkaq, të dhënat e disa organizatave joqeveritare tregojnë se në Kosovë, shkalla e papunësisë arrin në 60 për qind.
XS
SM
MD
LG