Ndërlidhjet

Byhler merr komandën e KFOR-it


Gjenerali gjerman Erhard Byhler
Gjenerali gjerman Erhard Byhler

NATO-ja mbetet e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe krijimin e një ambienti të qetë e paqësor në Kosovë, u tha mërkurën në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Prishtinë.

Me këtë rast, komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler ia dorëzoi komandën gjeneralit po ashtu gjerman, Erhard Byhler.

Në ceremoni morën pjesë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali Mark Ficxherald, zëvendësministri gjerman i Mbrojtjes, Rudger Vulf, si dhe ambasadorë e personalitete tjera ndërkombëtare e vendore.

Admirali amerikan Mark Ficxherald i siguroi edhe një herë qytetarët e Kosovës se NATO-ja dhe KFOR-i kanë një kauzë të përbashkët, e cila është siguria dhe mbrojtja e të gjithëve pa dallim.

“Mund t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se NATO-ja dhe KFOR-i do të mbeten të përkushtuara në Kosovë për t’u siguruar se të drejtat e të gjithëve po mbrohen
”, tha admirali amerikan, Ficxherald.

Ndërkaq zëvendësministri gjerman i Mbrojtjes, Rudger Volf, tha se pas përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë dhe reduktimit të numrit të ushtarëve të KFOR-it, hapi tjetër është krijimi i një strukture vetëmbrojtëse të sigurisë në Kosovë.

Paqeruajtësit gjatë ndërrimit të komandës në bazën e KFORit në Prishtinë


Ndërsa, në Kosovë ka një paqe të qëndrueshme dhe po reduktohen forcat ndërkombëtare, zëvendësministri gjerman foli edhe për rëndësinë që ka integrimi i vendeve të rajonit në BE dhe në NATO, duke veçuar këtu Kosovën e Serbinë si dy vende, të cilat, sipas tij, tani kanë nevojë për dialog dhe pajtim.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që ta lënë pas të kaluarën dhe të ecin së bashku drejt rrugës së pajtimit.


Raportet Kosovë serbi janë trajtuar edhe në fjalimin e presidentit Fatmir Sejdiu.

Pasi rikujtoi edhe një herë rolin dhe kontributin e madh të NATO-s për lirinë dhe paqen në Kosovë këto 11 vitet e fundit, Sejdiu tha se tash kur GJND-ja dha mendim pozitiv për pavarësinë, shteti i Kosovës ka një pozicion edhe më të fuqishëm ndërkombëtar. Me këtë rast, ai përmendi edhe sfidat që po paraqiten me nismat dhe obstruksionet e Serbisë.

“Mendimi i GJND-së ishte shumë i qartë, por Serbia refuzon ta pranojë atë, pavarësisht që vetë e kërkoi një mendim të tillë. Tani ajo po përpiqet ta pengojë njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës me një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.

Mirëpo, ne jemi të bindur se kjo përpjekje destruktive e Serbisë, si të gjitha të tjerat deri më sot, do të marrë përgjigjen e duhur. Pavarësia e Kosovës është realitet i pranuar botërisht”, tha Sejdiu.


Presidenti Sejdiu kërkoi nga NATO që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të marrin pjesë, qoftë edhe në mënyrë simbolike, në misionet paqësore të NATO-s kudo në botë.

“Kosova dëshiron të japë kontributin e saj për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen më të mirë për të gjithë popujt pa dallim; Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta si çdo shtet tjetër sovran”, theksoi Sejdiu.

Forca e KFOR-it në Kosovë përbën rreth 10 mijë ushtarë që vijnë nga 32 shtete të ndryshme. Kjo forcë është në fazën e ristrukturimit apo shkurtimit, proces ky që parashihet të shkojë krahas përparimeve në fushën e sigurisë në Kosovë e rajon.

Po ashtu, kjo forcë, për një vit kalon nën komandën e gjeneralit gjerman Erhard Byhler, i cili gjatë viteve 2003 – 2004 ishte komandant i brigadës tankiste dhe i kontingjentit gjerman të KFOR-it.
XS
SM
MD
LG