Ndërlidhjet

Pajtim për bisedime të reja


Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, në mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe liderit të Autoritetit palestinez, Mahmud Abas.
Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, në mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe liderit të Autoritetit palestinez, Mahmud Abas.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e ulur ndërmjet kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe presidentit të Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, i ka lavdëruar të dy liderët për ndërmarrjen e “një hapi të rëndësishëm drejt paqes dhe dinjitetit”.

“Fuqishëm besoj se të dy burrat të ulur në dy anët e mia - të dy jeni liderë që mund ta bëni këtë ëndërr të gjatë realitet. Ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme për t’ju ndihmuar juve
”, tha zonja Klinton.

Më tutje, Klinton theksoi se të dy liderët kanë mundësi që ta mbyllin këtë konflikt.

“Zoti kryeministër, zoti president, ju keni mundësi që ta përfundoni këtë konflikt dhe dekadat e armiqësisë ndërmjet popujve tuaj, njëherë e përgjithmonë”
, theksoi Hilari Klinton.

Administrata e presidentit Barak Obama, u ka dhënë të dy palëve një vit për arritjen e marrëveshjes për çështjet kontestuese, që historikisht e kishin penguar marrëveshjen.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, janë negociatat e para në pothuajse dy vitet e fundit, për shkak të mospajtimeve të thella për vendbanimet hebreje, bllokadën e Rripit të Gazës dhe kufijtë për zgjidhjen me dy shtete, e të tjera.

Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se izraelitët “janë të përgatitur për të ecur në këtë rrugë të gjatë dhe për një kohë të shkurtër për të arritur paqe të mirëfilltë”.

“Së bashku, ne mund t’i udhëheqim popujt tanë në një të ardhme historike, e cila do t’i përfundojë pretendimet dhe konfliktin. Tash, kjo nuk do të jetë lehtë. Paqja e vërtetë, e qëndrueshme, mund të arrihet vetëm me koncesione të dyanshme dhe të dhembshme nga të dy palët”
, tha Netanjahu.

Më tutje, duke iu drejtuar liderit palestinez, Mahmud Abas, Netanjahu theksoi se “ashtu siç ju prisni nga ne që të jemi të gatshëm ta njohim shtetin palestinez si vend i popullit palestinez, ne presim nga ju që të jeni të gatshëm ta pranoni Izraelin si shtet të popullit hebre”.

Lideri palestinez, Abas, tha se palestinezët dëshirojnë “periudhë të re, që sjell paqe, drejtësi, siguri dhe prosperitet për të gjithë”. Ai theksoi se palestinezët e kuptojnë se bisedat për statusin final do të jenë “përplot me pengesa”.

Mahmud Abas kërkoi nga Izraeli rishqyrtimin e politikës së tij në dy çështje kryesore:

“Ne konfirmojmë se ne jemi të përkushtuar për të gjitha detyrimet tona sa i përket sigurisë dhe ndaljen e të gjitha provokimeve dhe ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Izraelit të lëvizë përpara me të gjitha përkushtimet e tij - t’i ndalë të gjitha aktivitetet për koloni dhe në mënyrë të tërësishme ta tërheqë bllokadën e Rripit të Gazës dhe t’i ndalë të gjitha format e provokimeve
”.

Të dy liderët folën në emër të popujve të tyre, por në vendet e tyre, kundërshtimi i disa izraelitëve dhe palestinezëve ndaj çfarëdo kompromisi ishte shumë i qartë.

Më vonë, sipas zyrtarëve amerikanë, të dy liderët, mbajtën takim sy më sy në një zyre të sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

Pas këtyre bisedimeve, Mahmud Abas dhe Benjamin Netanjahu, kanë shpallur se janë pajtuar që të takohen përsëri brenda dy javësh, më 14 dhe 15 shtator, me gjasë në Egjipt. Në këto bisedime do të jetë e pranishme edhe sekretarja Klinton. (f. b.)
XS
SM
MD
LG