Ndërlidhjet

Sa po luftohet krimi i organizuar?


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Lufta kundër krimit të organizuar nuk është një mision i pamundur i autoriteteve të rendit, thanë përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Ushturesi i detyrës së drejtorit në Policinë kosovare, Behar Selimi, numëroi një varg përparimesh që janë arritur në drejtim të luftimit të dukurive negative.

“Rezultatet e kohëve të fundit në parandalimin dhe luftimin e krimit, e veçanërisht të krimit të organizuar, të drogave, të trafikimit të njerëzve, të kontrabandës së të gjitha llojeve, në menaxhimin dhe kontrollin më efikas të kufirit shtetëror, kanë treguar një ngritje të vlerësimeve të nivelit të sigurisë, madje edhe nga faktorët kompetentë ndërkombëtarë në Kosovë”
, tha Selimi.

Megjithatë, ai theksoi nevojën e mëtutjeshme të Policisë së Kosovës për përkrahje ndërkombëtare në fusha të caktuara.

“...sidomos në fushën e krimeve të sofistikuara, si ato të shpëlarjes së parave, krimeve financiare, të karakterit financiar dhe të krimit ekonomik. Në këto fusha nuk jemi aq të zhvilluar”.

“Ju e dini që deri vonë, institucionet tjera ndërkombëtare kanë qenë të ngarkuara për luftimin e këtyre veprave. Ne kemi qenë të orientuar në krijimin e kapaciteteve, por, megjithatë, na mungojnë në fushën e krimeve të tilla
”, tha Selimi.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, kritikoi Policinë, që edhe 11 vjet pas themelimit të saj, nuk arrin të luftojë plotësisht krimin e organizuar në vend.

“Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Policia pjesërisht ka arritur ta luftojë denjësisht atë, në të gjitha format e paraqitura. Një pjesë të kompetencave për luftimin e krimit të organizuar e ka edhe EULEX-i
”, u shpreh Ibishi.

Sipas Ibishit, Policia e Kosovës ka kapacitete që e vetme ta luftojë krimin e organizuar, meqë, siç u shpreh ai, niveli i tij nuk është më i përmasave të mëdha.

“Mendoj që Policia e Kosovës ka kapacitete - nuk është një nivel i sofistikuar i krimit të organizuar. Ka mundësi, ka edhe EULEX-in si favor të bashkëpunimit, në mënyrë që denjësisht t’i dalë përballë krimit dhe ta luftojë atë siç luftohet në gjithë botën”, tha Ibishi.

Sidoqoftë, Ibishi theksoi rëndësinë e funksionimit të task-forcës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria e Kosovës, më 26 shkurt, ka krijuar këtë departament, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Lexoni edhe këtë: Shpëlarja e parave - 3 milionë euro
XS
SM
MD
LG