Ndërlidhjet

Vulat e skaduara të UNMIK-ut, ende valide në veri


Vula e UNMIK-ut
Vula e UNMIK-ut

Edhe pse përfaqësuesit e institucioneve kosovare, autoritetet e rendit dhe administrata e UNMIK-ut në Kosovë kanë mohuar se vulat kufitare të UNMIK-ut përdoren në pikat kufitare në veri të Kosovës, situata në terren nuk duket tërësisht e këtillë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka hedhur poshtë mundësinë që në pikat kufitare 1 dhe 31, vendosen vula të UNMIK-ut.

Bajram Rexhepi

“Për momentin nuk vulosim. Tash do të jetë një kërkesë që do ta kemi përmes bordit mbikëqyrës për sundimin e rendit dhe ligjit. Për shtetasit serbë ka qenë një privilegj që nuk janë regjistruar. Tash do të jetë detyruese prej një nëntorit - ashtu është plani dinamik”


“Natyrisht që do të regjistrohen me vulën e Republikës së Kosovës për arsye se jemi shtet i pavarur sovran dhe tjetër vulë nuk mund të përdoret. Vula e UNMIK-ut nuk mund të përdoret. UNMIK-u, dihet, është një relikt nga e kaluara që ka mbetur në një rol facilitues dhe nuk ka asnjë detyrë operacionale, prandaj as nuk mund të ketë”
, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ka sqaruar se për shtetasit e huaj që hyjnë në territorin e Kosovës, janë disa lehtësi që na pasaportën e tyre nuk vendosen vulat. Sipas tij, kjo bëhet pasi që në të ardhmen qytetarët e vendeve të rajonit do të mund të lëvizin nga një shtet në tjetrin vetëm me letërnjoftime.

“Ka raste kur nuk i vulosim, për arsyeje se sidomos për të huajt ekzistojnë disa lehtësime. Nuk është thënë që çdonjërit t’i vendoset vula dhe, po ashtu, është edhe një kërkesë që do të shqyrtohet që në vendet e rajonit do të ketë ndoshta një lëvizje vetëm me letërnjoftime për të mos pasur diskriminim me shtetet e tjera, por këto janë çështje që do të vendosen në të ardhme”
, ka shpjeguar Rexhepi.

Edhe vetë zyrtarë të UNMIK-ut, kanë thënë se vulat e këtij misioni ka kohë që nuk janë përdorur në pikat kufitare. Rasell Gik, zëdhënës ka deklaruar:

“Siç e dini, UNMIK-u s’ka më autoritet në dogana. Jam i vetëdijshëm për këto raporte, por nuk kam ndonjë informatë për ato vula”.


Por, me datën 31 gusht të këtij viti, në pikën doganore numër 31, disa qytetarëve të huaj, pasaportat u janë vulosur pikërisht me vulën e UNMIK-ut. Një fotografi e njërës nga pasaportat, gjendet në faqen e internetit të Radios Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, nuk ka dashur të flasë shumë për këtë çështje, por ka shtuar se në dy pikat kufitare, në Jarinë dhe Zubin-Potok, nuk vendosen fare vula në pasaporta.
Policia e Kosovës


“Nuk mund të përgjigjem, nuk e di. Unë mendoj që nuk ka vulosje fare atje. Atje bëhet një lloj regjistrimi i pjesshëm i hyrje-daljeve, po jo në mënyrë të rregullt siç bëhet nëpër pikat tjera. Prandaj, nuk e besoj të përdoren fare vulat”.

“Ju e dini që në këto dy pika mungon edhe dogana, prandaj as ata nuk kanë përdorim vulash atje. Nuk e di, meqë ju e keni faktin, fakti flet vetë, pra nëse ju e keni faktin atëherë ajo qenka akoma vulë e UNMIK-ut”
, është shprehur Selimi.

Selimi ka bërë të ditur se janë në bisedime të vazhdueshme me komponentën e Policisë së EULEX-it, në mënyrë që çdo hyrje-dalje e qytetarëve në këto pika kufitare të regjistrohet dhe të respektohen ligjet kufitare të Republikës së Kosovës.

“EULEX-i ka përgjegjësinë ekzekutive atje, prandaj edhe neve na duhet të bëjmë çdo gjë, duke bashkëbiseduar dhe duke shprehur gatishmërinë për t’ju ndihmuar”.

“Asnjë gjë tjetër ne nuk mund të bëjmë. Kurse, sa i takon vulës, unë do ta paraqes këtë shqetësim tek EULEX-i, që ajo vulë të mos jetë më aty, sepse aty ka policë të EULEX-it dhe policë të Kosovës, të cilët mbikëqyrin pikat kufitare, por UNMIK nëpër pika të kalimit të kufirit nuk ka dhe nuk duhet të ketë
”, ka theksuar Selimi.
XS
SM
MD
LG