Ndërlidhjet

Incidente në lumin Ibër, disa të plagosur


Mitrovicë( Foto nga arkivi)
Mitrovicë( Foto nga arkivi)
Policia e Kosovës ka konfirmuar se mbrëmë vonë pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit ndërmjet Turqisë dhe Serbisë, në urën e lumit Ibër në Mitrovicë kanë ndodhur incidente, në të cilat kanë marrë pjesë disa qindra persona nga të dy anët e urës.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka thënë se pjesëmarrësit e incidenteve nga të dyja anët kanë hedhur gurë ndaj njëri-tjetrit.

“Nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë ndërmjet pjesëmarrësve të incidentit. Njësitet policore dhe ato të EULEX-it, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë lejuar përshkallëzim të incidenteve”, ka thënë Hoti dhe ka shtuar se “situata tash është nën kontroll”.

Agjencitë e lajmeve thonë se incidentet kanë shpërthyer pasi që shqiptarët kishin dalë për të festuar fitoren e Turqisë ndaj Serbisë.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Lindal, ka deklaruar se një polic i Francës është lënduar, pasi që është goditur në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetë.

Zyrtarët e Qendrës spitalore që ndodhet në pjesën veriore të qytetit u kanë thënë mediave serbe se në këto incidente janë lënduar katër persona. Tre prej tyre janë lëshuar nga spitali, ndërsa për shërim ka mbetur vetëm Millosh Radovanoviq , që tash ndihet mirë.

Mediat në Beograd thonë se të lënduarit janë pjesëtarë të nacionalitetit serb. Ende nuk dihet nëse të lënduar ka edhe në mesin e shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG