Ndërlidhjet

(S’)ka vullnet politik për integrim në BE


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Instituti Demokratik i Kosovës në kuadër të projektit “Monitorimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Partneritet Evropian për Kuvendin e Kosovës”, ka organizuar një debat dhe ka prezantuar një hulumtim me temën “Zbatimi i Planit të Veprimit për Partneritet Evropian nga Kuvendi i Kosovës”. Me këtë rast, përfaqësuesit e KDI-së, dhe disa nga ligjvënësit kanë thënë se Kuvendi i Kosovës po ngec në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit për Integrime Evropiane për vitin 2010.


Në Kuvendin e Kosovës, nuk ka vullnet politik në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Plani i Veprimit për Integrime Evropiane për këtë vit.

Ky konstatim ka dalë nga një raport i fundit i Institutit Demokratik të Kosovës, në të cilin mes tjerash thuhet se institucionet kosovare, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian duhet ta konsiderojnë si çështje më rendësi të interesit të përgjithshëm nacional.

Driton Selmanaj nga KDI-ja, ka thënë se rreth 70 për qind e obligimeve të Kuvendit të Kosovës, që dalin nga Plani i Veprimit, nuk janë realizuar.

“Arsyeja kryesore mund të jetë mungesa e vullnetit politik për t’u marrë me këtë çështje. Afër 60 për qind, apo gati 70 për qind të obligimeve, të cilat dalin nga ana e planit, nuk i kanë realizuar në tërësi, apo pjesërisht një numër shumë të vogël të tyre”
, ka thënë Selmanaj.

Në bazë të raporti të KDI-së, del se zyrtarët qeveritarë, deputetët e Kuvendit dhe të partive politike, më tepër japin deklarata sesa veprime konkrete për këtë çështje.

Kritika në moszbatueshmërinë e Plani të Veprimit për Integrime evropiane, jep edhe anëtari i Komisionit për integrime evropiane në Kuvend, Naser Rugova.

“Adresimi, përmbushja e sfidave, apo përgjigjja institucionale e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mw keqardhje duhet të themi, pavarësisht një angazhimi të jashtëzakonshëm të Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë, se prej 85 sfidave, janë përmbushur pjesërisht vetëm 35 nga to”, ka deklaruar Rugova.

Plani i Veprimit i Kuvendit të Kosovës për vitin 2010 ishte miratuar në shkurt të po këtij viti.

Në këtë dokument, Kuvendi ka përfshirë 85 sfida, të cilat dalin nga të gjitha fushat, me qëllim të përmbushjes së kritereve politike, si dhe funksionimin e institucioneve që garantojnë demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Anëtari i Kryesisë së kuvendit të Kosovës, Ibrahim Gashi, ka thënë se pjesa më e madhe e prioriteteve dhe strategjisë së Kuvendit për integrime evropiane është përmbushur, por ka mungesë në mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së këtyre obligimeve.

“Ka shumë pak nisma për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe arsyetimet vijnë nga ana jonë se është agjenda e ngarkuar me ligje dhe me aprovim ligjesh, dhe nuk mund të arrijmë t’i përmbushim të gjitha ato”.

“Mirëpo, kjo nuk e justifikon, e aq më pak këtë nuk do ta justifikojw punën tonë edhe nw raportin e ri tw progresit dhe natyrisht kjo mbetet një sfidë që Kuvendi i Kosovës duhet ta përmbushë”,
ka theksuar Gashi.

Përderisa deputetet e opozitës kanë kritikuar punën e Kuvendit për mosangazhim të duhur për kryerjen e obligimeve në Planin e Veprimit për integrim, zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane konsiderojnë se institucionet e vendit janë në rrugë të mbarë në zbatimit të këtij plani.

Frymëzim Isufi, këshilltar në Ministrinë e Integrimeve, është shprehur:

“Realisht, të gjitha sfidat, të cilat kanë dalë nga Plani i Veprimit, por edhe nga raporti i progresit të vitit të kaluar, të gjitha janë adresuar në institucionet e Kosovës. Po punohet intensivisht në këtë punë dhe ne me datën një tetor do të bëjmë dërgimin e këtij kontributi në Komisionin Evropian”.


Instituti Demokratik i Kosovës në kuadër të projektit “Monitorimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Partneritet ka nxjerrë edhe rekomandimet.

Disa nga to janë: Kuvendi i Kosovës duhet të dëshmojë përkushtim më të madh në kryerjen e obligimeve që dalin karshi procesit të integrimit në BE.

Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës duhet të respektojë planin e tij të punës (afatet kohore në miratimin e projektligjeve që janë identifikuar në raportin e progresit të Komisionit Evropian, etj.
XS
SM
MD
LG