Ndërlidhjet

Dokumentet më të falsifikuara - vizat Schengen


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Radhët e gjata të qytetarëve para ambasadave të vendeve evropiane në Prishtinë, tregojnë për interesimin e madh për të udhëtuar jashtë vendit, por vështirësitë për të marrë një vizë janë tejet të mëdha.

Bardha Krasniqi, qytetare, thotë se kriteret e ambasadave janë mjaft të ashpra dhe për të ardhur deri te viza e cilitdo shtet evropian, është shumë e vështirë.

“Në shumë ambasada, kriteret janë shumë të ashpra dhe ne shpeshherë nuk trajtohemi si qytetarë. Për shembull, në Ambasadën gjermane duhen 10 dokumente për një vizë”,
shprehet Bardha Krasniqi.

Sipas statistikave të Policisë Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në periudhën kohore janar/gusht 2010 janë hapur gjithsej 88 raste për falsifikim të dokumenteve dhe 42 raste për kundërvajtje - keqpërdorim i dokumenteve.

Sabrie Kamberi, zyrtare në Policinë e Kosovës, thotë se dokumentet, të cilat falsifikohen, janë kryesisht vizat Shengen.

Dokumentet, të cilat më së shumti falsifikohen, janë vizat Shengen të vendosura nëpër pasaporta të ndryshme, si pasaportat e ish-Jugosllavisë, leje-qëndrimet e shteteve të ndryshme, sidomos të Zvicrës. Shteti, në të cilin më së shumti synohet që të emigrohet me dokumente jo të rregullta, është Zvicra me gjithsej 55 raste”, bën të ditur Sabrie Kamberi.

Vlora Uka është një tjetër qytetare, e cila ka aplikuar për vizë dhe është refuzuar.

“Po, kam aplikuar për vizë në Ambasadën e Gjermanisë dhe më është refuzuar viza
”, tregon Vlora Uka.

Ndërkaq, Rifat Blakaj, ekspert për çështje të migracionit, thotë se në Kosovë edhe 10 vjet pas mbarimit të luftës, gjendja ekonomike dhe sociale është ende e rëndë dhe, sipas tij, kjo është arsyeja kryesore pse shumë të rinj kërkojnë të dalin jashtë vendit, qoftë edhe në mënyrë ilegale.

“Për shkak të dominimit të grupmoshave të reja në tregun e punës, nuk ka ende kapacitete të absorbimit të energjisë së madhe të fuqisë punëtore. Kjo ngase 59 për qind janë të rinj dhe në pamundësi të punësimit në vend, kërkohen rrugë alternative, gjë që është një migracion ilegal i pakontrolluar”
, vlerëson Blakaj.

Sipas ekspertit Blakaj, lëvizjet dhe përpjekjet e Qeverisë për të bërë hapa konkretë drejt liberalizimit të vizave, duhet të përkrahen e të ndihmohen dhe shpresat janë edhe në strukturat e Bashkimit Evropian.

Blakaj thekson se nuk mund të ketë zgjidhje edhe në shkallë evropiane, në qoftë se një shtet si Kosova mbetet i izoluar dhe i mbyllur.
XS
SM
MD
LG