Ndërlidhjet

Nacionalizëm i lartë, shpresa të ulëta


Posterët e fushatës zgjedhore në Bosnje
Posterët e fushatës zgjedhore në Bosnje
Votuesit në Bosnjë e Hercegovinë do të dalin në zgjedhje më 3 tetor, por shumë pak besojnë se zgjedhjet do t’i zbusin tensionet ndëretnike dhe t’i sjellin reformat e vonuara politike.

Më shumë se 8 mijë kandidatë nga 39 parti politike dhe 11 koalicione, do të garojnë të dielën për presidencën qendrore, ku janë përfaqësuesit e tri grupeve etnike.

Votuesit gjithashtu do t’i zgjedhin parlamentet e dy entiteteve, Republikës Serbe të Bosnjës dhe federatës kroato-boshnjake, si dhe presidentin rajonal të entitetit serb.

Pak vetë besojnë se votimi do ta zhbllokojë ngërçin politik dhe do të sjellë kompromis për feudët etnikë.

Vëzhguesit druajnë se zgjedhjet mund t’i thellojnë edhe më tej ndarjet, teksa shumica e kandidatëve e kanë vënë retorikën nacionaliste në qendër të fushatës së tyre.

Në një vend si Bosnja, që ende po e merr veten nga lufta, e cila la 100 mijë të vdekur dhe dy milionë të zhvendosur, forcimi i nacionalizmit sjell shqetësime të shumta.

Ivan Lovrenoviq publicist, gazetar dhe shkrimtar, për Radion Evropa e Lirë tha:

“Fushata tregoi një tendencë shqetësuese. Pothuaj të gjithë liderët partiakë kanë përdorur retorikë të fuqishme, veçanërisht ata që janë zhytur në idenë e etnisë kolektive dhe ndjenjave etnike, si burim i pashtershëm i votave
”.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i ka zemëruar boshnjakët duke e mbështetur haptazi kryeministrin e tij, Millorad Dodik, i cili po garon për presidencën e Republikës Serbe të Bosnjës.

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, Dodik i ka ripërsëritur thirrjet që entiteti i tij të ndahet nga Bosnja dhe vazhdimisht ka mohuar se masakra e Srebrenicës, ku u vranë rreth tetë mijë burra dhe djem boshnjakë, ka qenë gjenocid.

Tensionet ndëretnike kurrë nuk kanë qenë më të larta prej se Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës në vitin 1995.

Ejup Ganiq, ish-anëtar i presidencës qendrore të Bosnjes, i tha Radios Evropa e Lirë se bashkësia ndërkombëtare nuk po bën sa duhet për t’i kontrolluar politikanët e vendit.

“Ne nuk kemi mbikëqyrje adekuate nga bashkësia ndërkombëtare në kuptimin që të na mësojnë si ta ndryshojmë procesin politik dhe si t’i organizojmë partitë politike. Përveç kësaj, kandidatët i kanë kanalet e tyre televizive, gazetat dhe gazetarët. Ndasitë ekzistojnë në të gjitha fushat. Ne jemi të ndarë jo në dy entitete, por në të gjitha nivelet
”, thotë Ganiq.

Ekonomistja Svetlana Ceniq, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo gjendje e vështirëson klimën ekonomike në vend.

“Qytetarët kanë shumë më tepër burokraci dhe burokratë se më parë. Është e vështirë të bëhet biznes në Bosnjë e Hercegovinë. Është e vështirë të regjistrohen kompani të reja. Ata që kanë më së shumti nevojë, janë po ata që pranojnë më së paku”,
u shpreh Ceniq.

Vëzhguesit thanë se zhgënjimi i qytetarëve të Bosnjes me udhëheqësit e tyre, mund të përkthehet në dalje të vogël në votimet e së dielës.(v.p)

Bosnjë: Zhgënjimi i të rinjve nga politikanët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

XS
SM
MD
LG