Ndërlidhjet

Konsumatori i pambrojtur


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ndonëse autoritetet kosovare vlerësojnë se është shënuar progres në mbrojtjen e konsumatorit, përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me këtë çështje, shfaqin shqetësimet e tyre lidhur me rrezikun që vjen nga qarkullimi në treg i produkteve me afat të skaduar dhe me cilësi të dyshimtë.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se tregu kosovar vazhdon të mbetet i furnizuar me mallra që kanë afat të skaduar dhe prejardhje të dyshimtë.

“Konsumatori i Kosovës nuk ka informata të bollshme se çka ha, çka pi dhe cila është përbërja e ushqimit. Marketet tona janë të pajisura me makina laserike për t’i ndryshuar datat. Inspektoratet që kemi nuk janë të motivuara as teknikisht, as profesionalisht, as materialisht dhe ato janë të paafta ta monitorojnë tregun”,
thotë ai.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit është kritikuar edhe nga Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit për Kosovën, në të cilin theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Vlerësimet e shumta të bëra nga organizata të ndryshme joqeveritare si dhe raportet e institucioneve kosovare tregojnë se pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës paraqesin portën kryesore të hyrjes së produkteve me cilësi të dyshimtë dhe me afat të skaduar.

Sidoqoftë, zyrtarë të institucioneve thonë se është arritur progres në luftimin e kësaj dukurie negative. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci, pohon se tani ka një angazhim më të fuqishëm institucional për ndalimin e hyrjes së produkteve të dyshimta në Kosovë.

“Doganat e Kosovës kontrollojnë të gjitha mallrat, të cilat hyjnë nëpër kufijtë e Kosovës. Nëse vjen një ngarkesë e cila nuk e posedon certifikatën për përmbajtjen e mallit, atëherë ne nuk e bëjmë zhdoganimin e saj. Kështu që Agjencia e Produkteve Ushqimore të Kosovës është agjencia që ka kompetencë për lejimin apo jo të importit të produkteve ushqimore”, thekson Stavilevci.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se çdo mall që nuk ka afat dhe nuk e ka të deklaruar përmbajtjen, është në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë konfiskohet dhe asgjësohet.

Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Izer Arifi, thotë se në Kosovë është krijuar një mekanizëm ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve.

Lidhur me mbrojtjen e konsumatorëve janë plotësuar standardet kryesore. Është hartuar ligji, është aprovuar, ka hyrë në fuqi; është hartuar programi për mbrojtjen e konsumatorit 2010-2011 dhe po ashtu janë duke u zbatuar dhjetë parimet e Bashkimit Evropian mbi mbrojtjen e konsumatorit”, shprehet Arifi.

Për shkak të kontrabandimit të mallrave nga Serbia, organizatat joqeveritare në Kosovë kanë kërkuar nga ekzekutivi kosovar që tregu i Serbisë të shpallet joserioz dhe jo i sigurt për Kosovën. Ato vazhdimisht kërkojnë nga konsumatorët që të kenë kujdes të shtuar në konsumimin e produkteve ushqimore.
XS
SM
MD
LG