Ndërlidhjet

Amerikani dhe japonezët ndajnë Çmimin Nobel për Kimi


Fituesit e Çmimit Nobel për Kimi, për vitin 2010.
Fituesit e Çmimit Nobel për Kimi, për vitin 2010.
Tre shkencëtarë, amerikani Richard Heck, dhe japonezët, Ei-ichi Negishi dhe Akira Suzuki, kanë fituar Çmimin Nobel për Kimi për vitin 2010, për zhvillimin e metodave kimike, për lidhjen e atomeve të karbonit, duke shtruar rrugën për barna të reja për luftimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera.

Teknologjia do të ndihmojë të përmirësohen produktet e konsumit, si për shembull të prodhohen ekrane më të holla të kompjuterëve, tha Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë.

Shpalljen e fituesve e bëri sot në Stokholm profesori Stafan Normark, sekretar i përgjithshëm i akademisë.

“Akademia Mbretërore e Shkencave e Suedisë ka vendosur t’i shpërblejë me Çmimin Nobel për Kimi bashkërisht profesorët: Richard Heck nga Universiteti Delaware në SHBA, Ei-ichi Negishi nga Universiteti Purdue në Indiana, SHBA dhe Akira Suzuki nga Universiteti Hokaido në Saporo, Japoni”, tha Normark.

Lars Thelander, kryesues i Komitetit Nobel për Kimi, e shpjegoi rëndësinë e metodës së zhvilluar nga tre shkencëtarët.

“Çiftimet e paladiumit përdoren gjerësisht në akademi dhe industri, për t’i sintetizuar molekulat komplekse organike, për shembull për barna të reja, kimikate në bujqësi dhe komponentë organikë që përdoren në industrinë elektronike”, tha Thelander.

Teknologjia e re do t’u mundësojë kimistëve që në mënyrë precize dhe efikase t’i bashkojnë atomet e karbonit, t’i sintetizojnë molekulat komplekse organike, për të luftuar kancerin e zorrës së trashë, virusin e herpesit dhe virusin HIV.

Përpjekjet e mëparshme për të krijuar kimikate komplekse duke bashkuar atomet e karbonit, shkaktuan shumë efekte të padëshiruara.

Heck, 79 vjeç, është profesor nderi në Universitetin Delaware në SHBA. 75-vjeçari Negishi është profesor i kimisë në Universitetin Purdue në Indiana, SHBA. 80-vjeçari Suzuku është profesor në Universitetin Hokaido në Saporo, Japoni.

Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë 101 herë 157 laureatëve në periudhën 1901-2009. Vitin e kaluar ai iu nda amerikanëve Venkatraman Ramakrishnan dhe Tomas Steitz, dhe izraelitit Ada Jonat, për kërkimet e tyre rreth funksionimit të proteinave në qelizat. Kërkimet e tyre tash përdoren për prodhimin e antibiotikëve të rinj.

Çmimi Nobel në vlerë prej afro 1.5 milion dollarësh, i cili do të ndahet nga tre fituesit, ishte i treti që u nda këtë vit.

Të hënën u nda çmimi për mjekësi, ndërsa të martën për fizikë.

Çmimi i radhës Nobel, ai për Letërsi, do të ndahet nesër; të premten ndahet çmimi për Paqe, ndërsa të hënën për Ekonomi. (v.p.)
XS
SM
MD
LG