Ndërlidhjet

Mospajtime rreth pragut zgjedhor


(Fotografi ilustruese)
(Fotografi ilustruese)
Disa nga përfaqësuesit e partive të “vogla” politike thonë se zbatimi i pragut zgjedhor prej 5%, ka dëshmuar qartë rënien e cilësisë dhe të vëllimit të punës në Kuvendin e Kosovës.

Drejtuesit e partive politike, që nuk kanë mundur të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e kaluara, përveç ndryshimeve të mundshme të Ligjit për zgjedhje, kërkojnë edhe uljen e pragut zgjedhor në më pak se 5 për qind.

Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, thotë se pragu aktual zgjedhor u pamundëson partive “të vogla” të jenë pjesë e skenës politike në Kosovë.

“Pragu zgjedhor patjetër duhet të jetë më i ulët se 5 për qind - diku rreth 2 për qind, në mënyrë që të kemi një kolorit idesh, vizionesh, mendimesh dhe profilizime të subjekteve politike në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës”, thotë Dedaj.

Sipas tij, partitë e vogla ofrojnë ide dhe mundësi të mira për zhvillimin e shtetit.

“Edhe bashkësitë e tjera etnike, edhe komunitetet e tjera të vogla politike, duhet të kenë mundësi që t’i shpalosin vizionet e tyre dhe të jenë pjesë e demokracisë dhe e institucioneve të ardhshme demokratike të Kosovës”.

“Unë mund të them se, deri më tash, parlamentet e Kosovës kanë notë të ulët sa u takon qasjeve demokratike. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme që të ketë sa më shumë zëra”,
shprehet Dedaj.

Partia Liberale e Kosovës është njëra nga partitë që ka mbetur pa u përfshirë në Kuvend, për shkak të ngritjes së pragut zgjedhor në vitin 2007.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se, tash për tash, Grupi Punues për Zgjedhje nuk ka marrë ndonjë vendim për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë:

“Nuk është marrë ende ndonjë vendim. Të gjitha këto janë vetëm në fazën e diskutimit... Kështu, kemi ardhur deri të një lloj konsensusi se pragu zgjedhor do të jetë 5 % përsëri”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë se Ligji për zgjedhje duhet të pësojë ndryshime.

Sipas tij, pragu zgjedhor prej 5% është një cenim i demokracisë, sidomos për kandidatët e pavarur.

“Nëse nesër do të kemi një kandidat të pavarur – paramendoni, po të merrte ai 5 %, si do t’i plotësonte pesë vende në Parlament? Do të thotë, kjo është një cenim i demokracisë”.

“Si ide e dytë për subjektet politike - pragu zgjedhor duhet të jetë 3%. Kjo do të ndihmonte zhvillimin e politikës, kur jemi me një demokraci të brishtë dhe kur jemi me parti politike të paprofilizuara”,
shprehet Kryeziu.

Por, kryetari i PLK-së, Gjergj Dedaj, thotë se jeta politike në Kosovë është uzurpuar nga ato që ai i quan “parti të mëdha” në Kuvendin e Kosovës.

“Partitë e mëdha kanë uzurpuar jetën politike në Kosovë. Më shumë janë shndërruar në sundimtarë sesa në kreatorë të demokracisë, të ndërtimit të shtetit ligjor, të demokracisë së mirëfilltë”, thotë ai.

Subjektet politike thonë se pragu zgjedhor nuk duhet të jetë kusht kalimi i 5 për qind të votave, pasi që, sipas tyre, një gjë e tillë do të dëmtonte jetën politike dhe demokracinë në vend.

Lexoni edhe këto:
Data e zgjedhjeve, javën tjetër?
Krasniqi: Askush nuk përkrah zgjedhjet gjatë këtij viti
Analistët: Zgjedhjet, më se të nevojshme
XS
SM
MD
LG