Ndërlidhjet

Dhjetëra të plagosur nga dhuna në Beograd


Beograd, 10 tetor 2010.
Beograd, 10 tetor 2010.
Përkundër forcave të mëdha policore për organizimin e paradës së homoseksualëve në Beograd, më shumë se pesë mijë pjesëtarë të policisë serbe nuk arritën t’i pengojnë incidentet.

Në trazirat në qendër të Beogradit sot janë plagosur 78 policë dhe 17 qytetarë.

Trazirat shpërthyen me rastin e mbajtjes së paradës së homnoseksualëve, njoftoi policia e Serbisë.

Në komunikatë thuhet se aktualisht po vazhdon aksioni i policisë për vendosjen e rendit në të gjitha pjesët e qytetit".

Policia ka ndaluar 101 persona, kurse për 53 vetë është vendosur masa e paraburgimit për sjellje të dhunshme.

Mediat lokale njoftuan se kundërshtarët e tubimit i sulmuan kordonët e policisë, e cila në disa raste reagoi duke përdorur gaz lotsjellës.

Më herët, gazetari i Radios Evropa e Lirë Xhejms Kirçik (James Kirchick) u lëndua lehtë në qendër të Beogradit, kur një kundërshtar i paradës së homoseksualëve e goditi në kokë, teksa fotografonte një grup njerëzish, që përpiqeshin të depërtojnë në vendin ku ishin tubuar pjesëmarrësit e paradës.

Rreth një orë para fillimit të protestës, e kalova kordonin policor që të bëj disa fotografi të protestës. Aty erdhi një person, i cili provoi të më grushtojë, ma mori aparatin dhe u largua. Nuk e di çka ndodhi me të. Tash jam më mirë, kam një gërvishtje mbi syrin”, tha Kirçik.

Kundërshtarët e paradës janë përpjekur të hyjnë në qendrën emergjente në spital. Gjithashtu raportohet se kanë thyer dyqane, u kanë vënë zjarrin kontejnerëve të mbeturinave dhe një autobusi, ndërsa policinë e kanë sulmuar me gurë dhe objekte të tjera.

Kryebashkiaku i Beogradit, Dragan Gjillas, i tha Radios Evropa e Lirë se shuma e gjithmbarshme e dëmeve në qytet shkon mbi një milion dollarë.

Ndjenjat kundër homoseksualëve janë shumë të shprehura në Serbi. Të shtunën, më shumë se pesë mijë njerëz u tubuan në Beograd për të protestuar kundër paradës së sotme. Disa kërkuan vdekjen e homoseksualëve, ndërsa të tjerët përshëndetnin në stilin nazist.

Kisha Ortodokse Serbe ka paralajmëruar kundër dhunës ndaj aktivistëve homoseksualë, por gjithashtu ka shprehur pakënaqësi për mbajtjen e paradës.

Planet për një paradë të ngjashme u anuluan vitin e kaluar, kur zyrtarët e qeverisë thanë se nuk ishin në gjendje ta garantonin sigurinë e marshuesve.(v.p.)


(Video: Radio-Televizioni i Serbisë)

XS
SM
MD
LG