Ndërlidhjet

Kosova, zonë mesatare sizmike


Territori i Kosovës është i ndarë në tri zona sizmike: Pejë-Prizren; Gjilan-Viti-Ferizaj dhe zona e Kopaunikut.

Naser Hasi, shef i zyrës për sizmologji, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të një studimi të bërë për 95 vjetët e ardhshëm, këto janë tri zonat më të rrezikuara nga tërmetet.

“Në bazë të studimeve për 95 vjetët e ardhshëm, pritet që në këto zona, trualli, nën veprimin e tërmeteve të fitojë një nxitim prej 0.08 herë të gravitetit tokësor. Megjithatë, ky nuk është ndonjë sizmitet shumë i lartë, që do të duhej të shkaktonte shqetësim te qytetarët”, thotë Hasi.

Sizmologët thonë se tërmetet nuk mund të ndalen, porse pasojat në njerëz dhe në të mira materiale mund të evitohen.

Për evitimin e dëmeve që mund t’i shkaktojnë tërmetet në territorin e Kosovës, sizmologët rekomandojnë që në ndërtimin e objekteve të zbatohet rregullorja e euro-kodit 8, që parasheh të gjitha masat që duhet të ndërmerren me rastin e ndërtimeve të larta.

Eksperti i ndërtimtarisë, Selman Buqolli, thotë se në Kosovë këto rregulla nuk respektohen sa duhet, andaj, sipas tij, ekziston edhe rreziku potencial.

“Secili objekt duhet të kalkulohet. Përveç statikës që e bën inxhinieri i ndërtimtarisë, objekti duhet të verifikohet dhe të llogaritet edhe ndaj sizmikës. Që nga paslufta (1999), unë nuk kam hasur në ndonjë objekt ku është bërë llogaria kundër sizmikës”, shprehet Buqolli.

Ai thekson nevojën e krijimit të ministrisë së ndërtimtarisë, e cila, sipas tij, do të ndihmonte në evitimin e katastrofave që vijnë nga tërmetet.

Sipas studimeve të fundit, Kosova mund të goditet nga tërmetet me fuqi prej 4.4 deri në 5.5 shkallë të Rihterit. Sizmologët thonë se nëse magnituda e tërmetit është 4.5, dëmtimet mund të jenë të dobëta.

Por, nëse magnituda e dridhjeve do të arrinte në 6.7, sipas sizmologëve, do të mund të pasonin dëme serioze. Se a mund të preket territori i Kosovës nga një shkallë e tillë e tërmetit, Naser Hasi shpjegon:

“Në vendin tonë, për 95 vjet, sipas një studimi të bërë vitin e kaluar, nuk mund të priten tërmete me fuqi 6.7 shkallë të Rihterit, por të fuqisë mesatare, siç po ndodhin edhe tani”.

Ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar dridhje toke. Fuqia e tyre ka arritur shkallën 4.5.
XS
SM
MD
LG