Ndërlidhjet

Clinton në Graçanicë


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton gjatë vizitës në Graçanicë
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton gjatë vizitës në Graçanicë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, vizitoi edhe komunën e re me shumicë serbe, Graçanicën. Ajo vizitoi Manastirin e Graçanicës dhe zhvilloi një takim të përbashkët me kryetarët e komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë.


E mërkura ishte një ditë pothuaj e zakonshme për qytetarët e komunës së Graçanicës. Vizita e sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, ndonëse e paralajmëruar kohë më parë, nuk dukej t’u ketë bërë aq përshtypje banorëve të kësaj komune me shumicë serbe që ndodhet në afërsi Prishtinës.

Për dallim nga kryeqyteti i vendit, ku diplomatja amerikane u prit nën duartrokitjet e masave, në një ambient të zbukuruar me flamuj amerikanë e shtetërorë dhe me një nderim të Gardës Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Graçanicë ishin të paktë ata që kishin zgjedhur që, rrugëve, të prisnin ardhjen e Clintonit.

Masat e shtuara të sigurisë karakterizuan vizitën e saj në Graçanicë, e cila nisi me qëndrimin në Manastirin e Graçanicës, ku Clinton u prit nga peshkopi Teodosje.
Clinton në Manastirin e Graçanicës...


Serbët thanë se vizita e Sekretares amerikane të Shtetit në Graçanicë, dëshmon përparimin e komunës.

“Shkëlqyeshëm, ky është një vend ku mund të vijë kush të dojë dhe asgjë më shumë”, tha një qytetar i Graçanicës.

“Kjo është shumë mirë, siç po e shihni edhe vetë, kushdo që vjen nga jashtë, së pari vjen në Graçanicë, e pastaj vazhdon tutje, do të thotë se ky është një përparim për Graçanicën dhe popullin serb”
, tha një tjetër banor serb i kësaj komune.

”Jam shumë e lumtur që erdhi së pari në Republikën e Serbisë, e pastaj në Republikën e Kosovës. Është e barabartë, domethënë edhe atje edhe këtu, i lumtë Hillarit”,
u shpreh një qytetare serbe

Clinton zhvilloi një takim të përbashkët me udhëheqësit e komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë edhe kryetarin e komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq.

Ky i fundit bëri të ditur se gjatë takimit i është garantuar mbështetja amerikane për procesin e decentralizimit.

“Serbët e Kosovës që jetojnë në këto vise dhe kanë vendosur të jetojnë këtu, patjetër duhet të shihen si faktor dhe askush më nuk ka të drejtë të mos vërë re, qoftë kur flitet për Prishtinën, Beogradin apo Bashkësinë Ndërkombëtare”.

“Kemi marrë mbështetjen amerikane për decentralizimin dhe vendosjen e mekanizmave funksionale që do të mbrojnë të drejtat e popullatës së këtushme”,
theksoi Stojanoviq.

Pas qëndrimit në Graçanicë, Clinton e vazhdoi vizitën e saj në Prishtinë ku mbajti një debat publik në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

Lexoni edhe këtë: Nuk merren vesh për Kosovën
XS
SM
MD
LG