Ndërlidhjet

Vendimet e (kundër)ligjshme?


Fotografi ilustruese
Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme. Një ndër problemet është edhe furnizimi me barna esenciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Por, vendimi i fundit i marrë nga Drejtori i kësaj qendre, Ali Sadriu, për mospranimin e barnave me afat skadence me më pak se gjashtë muaj, ka nxitur reagime te zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata thonë se ky vendim është i kundërligjshëm.

Arbenita Pajaziti, shefe e Divizionit për furnizim me barna në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se vendimi në fjalë i tejkalon kompetencat e drejtorit të QKUK-së, pasi që nuk përputhet me udhëzimet administrative.

“Ministria e Shëndetësisë ka bërë presion të vazhdueshëm se ky vendim është i kundërligjshëm, pasi që furnizimet ministria i bazon në udhëzimin administrativ që rregullon deponimin, distribuimin dhe dispenzimin e barnave esenciale. Furnizimi me barna bëhet në baza mujore dhe ato duhet të shpenzohen brenda strukturave”, thotë Pajaziti.

Drejtori i QKUK-së nuk është prononcuar, me gjithë përpjekjet për të marrë përgjigjen e tij në lidhje me akuzat se ai nuk është kompetent për të marrë vendimin në fjalë.

Por, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare, Shpend Fazliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të ligjit për produkte dhe pajisje medicinale, parashihet që asnjë produkt medicinal nuk mund të hyjë në institucione shëndetësore pa pasur të paktën 6 muaj afatin e skadencës.

Sipas Fazliut, drejtori Sadriu nuk ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

“Përderisa ky vendim është i miratuar në vitin 2003, ai është ende i vlefshëm
”, deklaron Fazliu.

Në anën tjetër, Faik Hoti, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se zyra ligjore në këtë institucion e ka analizuar këtë vendim të drejtorit ekzekutiv dhe ka ardhur në përfundim se me nenin 16 të statutit të QKUK-së, një vendim i tillë i marrë nuk është në kompetencën e drejtorit.

Ministria e Shëndetësisë është në dijeni për një vendim të tillë të kryeshefit të QKUK-së, sipas të cilit ndalohet pranimi i produkteve medicinale me afat prej më pak se 6 muajsh. Një vendim i tillë i marrë, nuk është në kompetencën e drejtorit”.

“Ministria e Shëndetësisë ka më shumë probleme se si t’i bëjë furnizimet me barna. Shumica e barnave nuk presin 6 muaj për shpenzim, sepse ka kërkesa dhe shpenzohen në baza javore apo mujore”,
shpjegon Hoti.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se me vendimin e Sadriut, do të pësojnë më së shumti pacientët.

Arbenita Pajaziti, nga Ministria e Shëndetësisë, pohon se shumica e barnave të mospranuara, janë material i shpenzuar në baza ditore, javore apo mujore, dhe një vendim i tillë u bën dëm, si pacientëve, po ashtu edhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Citostatikët janë faturuar për QKUK dhe kanë mbetur në depo, sepse nuk e ka pranuar QKUK-ja, derisa sasia ka qenë e harxhueshme për një muaj, pastaj shiringat e një bari, Filgrastim, një shiringë e të cilit kushton 300 euro, dhe nuk është shfrytëzuar nga QKUK-ja e që ishte harxhuar për 10 ditë”
, thekson Pajaziti.

Siaps Pajazitit Ministria e Shëndetësisë është duke formuar një komision hetimor dhe do të dalë me të dhënat për dëmet materiale që ka shkaktuar ky vendim i marrë nga QKUK-ja.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë vitit është duke u ballafaquar me mungesë të madhe të barnave nga lista esenciale. Buxheti që ka pasur në dispozicion ky institucion për këtë vit, ka qenë 17 milionë euro, ndërkaq vitin e kaluar buxheti i po këtij institucioni ka qenë 20 milionë e 200 mijë euro.

Lexoni edhe këto: Barna me afat të skaduar
Dëmet e buxhetit nga kontratat e barnave
Furnizimi me barna - dyshime për keqpërdorim
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG