Ndërlidhjet

“Raporti i Progresit”: Ngecjet dhe sukseset


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, gjashtë organizata të shoqërisë civile kanë përgatitur versionin kosovar të raportit, i cili reflekton vlerësimin vendor mbi progresin në Kosovë.

Anëtarët e OJQ-ve kanë thënë se qëllimi i këtij raporti është ofrimi i një pasqyre alternative ndaj progresit si dhe ngecjeve të Kosovës në zhvillimin e saj.

Hajrullah Çeku, nga Klubi për Politikë të Jashtme, u shpreh:

“Në pritje të raportit të progresit të Komisionit Evropian, kemi dashur të japim një pasqyrë tjetër. Thjesht, kemi dashur të dalim nga shabllonet, të cilat i imponon në njëfarë forme Komisioni Evropian”.

Raporti përfshin periudhën kohore tetor 2009 – 2010 dhe mbulon disa fusha, si: marrëdhëniet Kosovë – BE, rolin e EULEX-it, progresin politik dhe institucional, zgjedhjet, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, politikën e jashtme, progresin ekonomik, liberalizimin e vizave etj.

Kuvendi i Kosovës, që nga konstituimi, vazhdimisht po përballet me sfida dhe probleme në ndërtimin e një institucioni, i cili do të ishte pishtar i vlerave demokratike në vend, thuhet në raport.

Një prej problemeve kryesore që është duke e përcjellë punën e Kuvendit, është mospërmbushja e planit të punës së tij. Sipas raportit, fajtore për këtë çështje është edhe Qeveria e Kosovës.

Driton Selmanaj tha se Kuvendi ka nxjerrë ligje, porse kualiteti i tyre lë për të dëshiruar. Ai përmendi disa mangësi:

“Kualiteti jo i mirë i ligjeve që i nxjerr Kuvendi, kontrolli tejet i dobët parlamentar ndaj Qeverisë, mospërcjellja e zbatimit të ligjeve në praktikë nga ana e Kuvendit si dhe degradimi i rekomandimeve nga ana e Qeverisë...”.

Në "Raportin e Progresit Made in Kosova" përmendet edhe roli i EULEX-it dhe puna e tij në Kosovë. Në raport thuhet se perceptimi i publikut është se EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës janë në mosmarrëveshje kur është fjala për çështje të nxehta të korrupsionit në nivelin e lartë.

Seb Bytyçi, nga Instituti Ballkanik i Politikave, tha se qëndrimi neutral i EULEX-it ndaj pavarësisë së Kosovës ka ndikuar në punën e këtij misioni në veri të vendit.

Kjo ndikon direket edhe në performancën e misionit të BE-së, në punën e EULEX-it, pra në vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Kjo vërehet sidomos në veri”, theksoi Bytyçi.

Raporti vë në pah se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit. Korniza aktuale ligjore është një bazë solide për të luftuar këtë dukuri negative, vijon raporti.

Petrit Zogaj, nga Lëvizja Fol, tha se Kosova ka ende nevojë për plotësimin e paketës ligjore anti-korrupsion.

“Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë aktivitet që do të tregonte se është e interesuar të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme, thuhet në raport, ka shënuar të arritura minimale në periudhën kohore tetor 2009 - 2010. Asnjë nga objektivat e MPJ-së nuk është përmbushur, duke bërë që të shtohen dyshimet në kapacitetet e kësaj ministrie, thekson raporti.

Hajrullah Çeku, nga Klubi për Politikë të Jashtme, tha se Ministria e Jashtme dhe institucionet e tjera të Kosovës nuk kanë shfrytëzuar as mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për njohje të reja të pavarësisë.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, ndonëse ka ndodhur opinioni këshillëdhënës i GJND-së, nuk mund të thuhet se ky mendim është operacionalizuar ose shfrytëzuar për rritjen e numrit të njohjeve”, tha ai.

Rritja ekonomike prej 4,4%, siç vlerëson raporti, është shumë e vogël për të pasur një zhvillim të kënaqshëm ekonomik.

Agron Demi, nga Instituti GAP, tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2010 nuk ka treguar shenja përmirësimi.

Qeveria e Kosovës është treguar e ngathtë në përmirësimin e bazës ligjore. Nuk ka ndërmarrë reforma për përmirësimin e gjendjes jo të mirë në vend”, theksoi Demi.

Raporti kritikon edhe institucionet e rendit, si Policinë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për mënyrën e funksionimit dhe të organizimit të tyre.
XS
SM
MD
LG