Ndërlidhjet

Ngufatja e ekonomisë


Punimet në autostradën Kosovë-Shqipëri
Punimet në autostradën Kosovë-Shqipëri
Ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se vazhdimi i investimeve të Qeverisë së Kosovës në infrastrukturë rrugore, duke mos bërë përpjekje për të krijuar burime të reja të financimit, do të krijojë probleme serioze në ekonominë e vendit. Ata alarmojnë për një ngufatje të zhvillimit ekonomik. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, nga janari i këtij viti e deri më sot janë investuar mbi 200 milionë euro në projekte kapitale.


Investimet kapitale, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, për nëntëmujorin e këtij viti kapin shumën prej 233.810.000 eurosh.

Qeveria e Kosovës, investimet më të mëdha është duke i bërë në infrastrukturë rrugore. Këto investime, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk do të mund të ngjallin ekonominë e vendit.

Eksperti Muhamet Sadiku thotë se do të jetë e nevojshme që Qeveria e Kosovës të gjejë burime të tjera, si dhe disa projekte t’i japë me koncesion, meqë, sipas tij, Kosova nuk mund t’i mbulojë të gjitha nevojat aktuale.

“Qeveria e Kosovës është duke investuar para të mëdha në rrugë. Një vazhdim i investimeve të tilla, duke mos bërë përpjekje për të krijuar burime të reja të financimit, do të krijojë probleme serioze, do të bëjë shtrëngesa të mëdha fiskale në buxhetin e Kosovës dhe në situatën makroekonomike të vendit”, thekson Sadiku.

Në buxhetin e Kosovës, në dy-tre vjetët e fundit, ka një rritje të pjesëmarrjes së projekteve kapitale në infrastrukturë rrugore, në shëndetësi dhe në arsim. Por, eksperti Sadiku thotë se Kosova përballet me nevoja të mëdha në të gjithë sektorët e ekonomisë. Sipas tij, është e pamundur që me këtë buxhet të mbulohen të gjitha kërkesat.

Autostrada do të kërkojë rreth 1 miliard euro ose më shumë, varësisht nga do të jetë traseja. Kjo, për këtë nivel të zhvillimit të Kosovës dhe nëse bazohet vetëm në mjetet buxhetore, kam frikë se do të ngufasë zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë ai.

Ekspertët theksojnë nevojën e uljes së varfërisë si dhe të rritjes së edukimit modern. Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se për të dalë nga gjendja e rëndë ekonomike, në të cilën aktualisht është Kosova, duhet të shfrytëzohen potencialet e vendit. Rrjedhimisht, sipas tij, do të pasonte rritja ekonomike.

Sektori i bujqësisë, zhvillimi rural dhe turizmi janë sektorët më me perspektivë, sepse absorbojnë numër të madh të punëtorëve. Kjo do të ishte mirë për situatën e përgjithshme ekonomike dhe sociale”, shprehet Mulaj.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë prioritet ngritjen e cilësisë në shëndetësi, në arsim dhe në ata sektorë që do të ndikojnë direkt në zhvillimin e biznesit në Kosovë. Sipas tyre, investimet e tilla kanë efekt pozitiv në zhvillimin ekonomik të një vendi.
XS
SM
MD
LG